Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një takim në Davos, me përfaqësuesen e TikTokut për Europën, Christine Grahn.
Përmes një postimi në facebook, Rama shkruan se me Grahn diskutuan mbi shqetësimet që çuan qeverinë në marrjen e vendimit për mbylljen e TikTok.
Ndër të tjera ai zbulon se kanë vendosur disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por me të gjitha garancitë e nevojshme.
“Davos, Forumi Ekonomik Botëror me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë&Politikën Publike të TikTokut për Europën, shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë.
Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”, shkruan Rama.