Partia Demokratike ka vendosur që të lobojë kundër hapjes së negociatave tek vendet e Bashkimit Evropian. Për ta arritur këtë qëllim, deputetë të saj, por edhe vetë kryetari i partisë, Lulzim Basha po përdorin çdo ngjarje që e servirin si “skandal” të qeverisë, në mënyrë që të nxijnë imazhin e Shqipërisë në BE. Përmes këtyre lëvizjeve, ata duan t’i tregojnë familjes evropiane se vendi ynë nuk e meriton që t’i hapen negociatat me këtë mazhorancë aktuale dhe për t’i mëshuar më shumë kësaj strategjia, demokratët kanë shfrytëzuar edhe kapjen e 3.4 milionë eurove në Portin e Durrësit ditën e diel në një mjet të tipit “Toyota Yaris”. Më herët, Lulzim Basha kishte deklaruar se këto para i përkasin kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Por Basha nuk është ndalur vetëm me deklaratat për publikun shqiptar sepse këtë ngjarje e ka transmetuar edhe tek ndërkombëtarët gjermanë pas aksionit të policisë për kapjen e parave. Sipas informacioneve, ai u ka dërguar një email gjermanëve ku tregon se paratë e sekuestruara janë para droge dhe i përkasin deputetit të PS, duke vijuar kështu tentativat për bllokimin e negociatave. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe vetë Taulant Balla dje në një dalje për mediat. “Partia Demokratike vazhdon t’i paguajë para zyrave të lobingut për të nxirë imazhin e Shqipërisë, kur na ndajnë edhe tre ditë nga një vendimmarrje shumë e rëndësishme. Ky që kishte lobuar fort. Ky që na i ka dalë shpirti vendit në përpjekjen heroike për ti garantuar Shqipërisë hapjen e negociatave. Ky që edhe dje u ka dërguar email anëtarëve të Bundestagut gjerman se si Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani qenka i përfshirë në një rast trafiku të parave. Po a ka burrërinë ky, që në ditët në vijim kur kjo zallamahi dhe ky llum të pastrohet, të kërkojë falje”, tha Balla dje.
Paralajmërimi i Ballës
Taulant Balla iu kundërpërgjigj edhe një herë ditën e djeshme akuzave të hedhura nga kreu demokrat, Lulzim Basha për shumën e parave të kapura në Durrës. Gjatë deklaratës për mediat, ai paralajmëroi se gjatë seancës parlamentare të së enjtes do të ketë surpriza, ku do të zbulohen disa lidhje të Bashës me grupin kriminal. “Që Taulant Balla nuk ka asnjë lloj lidhje me ndonjërin prej këtyre,ua garantoj me përgjegjësi penale. Jo mandatin e deputetit, por jam i gatshëm të më bëhet gjyqi në Sheshin “Skënderbej” nëse do të ketë qoftë edhe një lidhje të vogël timen me këtë rast. Sapo kam dëgjuar akuzën e djeshme të Lulzim Bashës, kam filluar edhe unë të bëj disa verifikime dhe them se në fund të kësaj historie, Lulzim Basha i ka ca lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje. Nuk po i them sot, sepse do t’i ruaj për të enjten në seancë plenare, por ju garantoj që i kam gjetur disa lidhje të Lulzim Bashës me këtë grup kriminal. Ju ka ndihmuar Policia apo Prokuroria në këtë hetim? Unë do ti ruaj të enjten për në seancë plenare disa surpriza Lulzim Bashës”, tha ai. Balla shtoi se për gjithë këtë ngjarje do t’i japë një mësim kryedemokratit. “Pas konsultimit edhe me kolegë juristë, edhe me kolegë të grupit tim parlamentar, mendova që këtë “shenjtan budalla” mos ta lë me kaq. Por që këtë histori kësaj radhe t’ia kthej në një mësim ekzemplar këtij “shejtan budallai” për t’i thënë njëherë e përgjithmonë që në politikë kemi bërë gjithmonë akuza ndaj njëri-tjetrit, por kurrë një gjë të tillë. Do formulohet tërësisht edhe me detaje akuza, kallëzimi penal brenda kësaj jave, pasi të jetë kopsitur mirë do të depozitohet”, u shpreh Taulant Balla./ Sot news