Kapja e 3.4 milionë Eurove në portin e Durrësit ka sjellë një klimë të tensionuar politike. Por për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Fatos Klosi nuk mund t’u besohet akuzave të hedhura nga Partia Demokratike. Në një intervistë për gazetën ‘’SOT’’ ai thotë se duke u bazuar edhe te skandalet e mëparshme që ka publikuar PD-ja, nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë një histori e stisur.
Rrjedhja e informacionit
Fatos Klosi komentoi dje për ”SOT” edhe faktin që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kishte dijeni për paratë në makinë para se të kryhej operacioni policor. Ai u shpreh se një gjë e tillë tregon që ka patur rrjedhje informacioni nga Shërbimit Informativ Shtetëror. “Ka pasur një rrjedhje informacioni. Unë dëgjova që PD e ka marrë informacionin përmes Shërbimit Informativ dhe nuk çuditem për këtë gjë.
Është një informacion që kalon nëpër shumë duar dhe sigurisht që edhe del”, tha ai. Nga ana tjetër, Fatos Klosi e konsideroi këtë rrjedhje informacioni si diçka të rrezikshme për operacionet e policisë. Sipas tij, të tilla të dhëna nuk duhet të përdoren për të bërë politikë, aq më tepër para se të kenë vepruar agjencitë shtetërore.
“Por për mua të dalë në shtyp para se të bëjë një aksion policia e quaj të dëmshme. Është shumë e gabuar që të ngutesh dhe ta përdorësh informacionin për kauzë politike ndërkohë që akoma nuk është bërë aksioni. Çdo gjë mund të bëhet nga mbrapa, por jo përpara, përpara është e gabuar. Tani a është gabim apo është bërë edhe për ta sabotuar operacionin, ashtu siç ka zëra, unë nuk di ta them”, u shpreh Fatos Klosi.