Nga transporti i energjisë elektrike në mënyrë tradicionale përmes shtyllave tek kabllot nënujorë. Marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e një linje interkoneksioni të energjisë së rinovueshme do të shënojë projektin e parë të këtij lloji për vendin tone.
Sipas një studimi të publikuar nga “New York Times”, lidhur me linjat e interkoneksionit nënujore, renditen avantazhet dhe disavantazhet e realizimit të këtij projekti.
Një ndër përfitimet kryesore që ofrojnë këto projekte në krahasim me transportimin e energjisë elektrike në mënyrë tradicionale, përmes tuneleve dhe kabllove nën tokë, është fleksibiliteti më i madh që ato ofrojnë.
Për më tepër, ndërtimi i kabllove nënujore shmang nevojën për të ngritur kullat e mëdha elektrike dhe për të prerë pemë, një proces që shpeshherë mund të shkaktojë kundërshtime të forta nga grupet ambientaliste dhe të krijojë probleme mjedisore. Gjithashtu, në raport përmendet se, në disa raste, vendosja e kabllove nënujore mund të ketë një kosto më të ulët.
Nga ana tjetër, raporti përmend se këto projekte kërkojnë zhvillim të konsiderueshëm teknologjik. Megjithatë, në rastin e marrëveshjes së nënshkruar në Abu Dhabi, ndërhyrja e Emirateve të Bashkuara Arabe, një vend i avancuar në aspektin teknologjik, nuk pritet të paraqesë problem për Shqipërinë.
Një tjetër disavantazh lidhur me këto projekte është ndikimi mjedisor që mund të kenë. Vendosja e kabllove nënujore mund të shkaktojë shqetësime mjedisore, si turbullimi i substancave kimike të industrializuara që mund të ndodhen në fund të lumenjve ose liqeneve, ose ndikimin në habitate të disa specieve të peshqve.
Nëse ky projekt do të përfshijë kalimin nën ujë, do të jetë e domosdoshme të menaxhohen ndikimet mjedisore të mundshme.
Italia do të bëhet vendi i 5-të që Shqipëria do të ketë mundësinë të lidhet me të përmes linjës ndërkufitare të shpërndarjes së energjisë elektrike, pas Kosovës, Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Lidhja me Maqedoninë e Veriut është aktualisht në fazën e realizimit.