Ambasada e SHBA-së në Prishtinë kanë thënë se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të Kosovës, ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë për gazetën Express një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane më tej shprehet se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se mëngjesin e kësaj të mërkure janë mbyllur komuna paralele të Serbisë si dhe posta e zyre. Sipas tij, aksioni është zhvilluar në dhjetë komuna.
Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale, janë lokacionet ku janë mbyllur komunat paralele të Serbisë.