Nga Marko Caka, Nju Jork
Zjarret apokaliptike të Los Angeles në zonën e më të famshmëve të botës së hollivudit dhe regjistrimi i votës së emigrantëve për ne shqiptarët janë dy ngjarjet më të rëndësishme të javës që sapo lamë pas.
Duke parë një video virale në Los Anxhelesin apokaliptik ku zjarret nuk kanë lënë asgjë mbi dhe, përveç se shkrumit e hisë, mirëpo që Zoti kishte shpëtuar vetëm një shtëpi dhe banori në vend që t’i gëzohej kësaj mrekullie, qante më tepër se ku janë banorët, ku janë shtëpitë e tyre dhe çfarë rëndësie ka jeta ime pa ata.
Pikërisht tek kjo e fundit dua të ndalem, për ta kuptuar edhe ne në Shqipërinë time sesa e rëndësishme është jeta jonë dhe e gjithësecilit në një shoqëri të përbashkët, por me qëndrime dhe ide të ndryeshmë. Pra, jeta jonë me komshiun që ndajmë gjithçka në të mirat e të këqijat që na sjell e përditshmëria jonë. Dhe meqenëse jeta jonë ndahet edhe me fqinjët, kështu që është e rëndësishme ti respektojmë qëndrimet dhe mendimet e tyre sesi duan ta konceptojnë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre bazuar tek bindjet e besimet e tyre.
Historikisht familja ime vjen nga bindjet e majta dhe nuk e luan topi, të paktën as tek unë që jam pasardhësi i fundit i tyre që të ndërrojë këtë kah. Tani çeshtja është se në këtë tokë nuk jetoj vetëm unë por jetojmë të gjithë bashkë me vllazni, e me shoqni, e me komshi që kanë edhe ata bindjet e tyre dhe që duhen respektuar deri në fund.
Pra me pak fjalë jeta jonë nuk ka kuptim pa larmishmërinë e mendimeve të gjithsecilit sepse është si ajo sofra që nuk ka kuptim pa muhabetin dhe debatin e miqve. Jam rritur në një familje të madhe, ku të parët e mi drejtonin sofrat e miqve, ku fqinjët dhe mysafirët kishin larmitet në përzgjedhjet e tyre, të bindjeve si dhe të besimeve të ndryeshmë që vijnë më shumë nga trashëgimia e tyre familjare.
Mos të them, se komshinjtë më të mirë i kisha të besimit ndryshe nga ajo e familjes sime, që vinin e ndanin edhe kafshatën e fëmijëve me ne, në një harmoni absolute. Madje edhe tani që po hedh këto rreshta, i kujtoj me nostalgji se sa të mirë e bujarë i kisha fqinjët, që në një kohë shkoja dhe mbushja ujin tek ata ngaqë tek ne po rregullonin tubacionet dhe uji i pijshëm ishte jetik për familjet tona. Në çfarëdo ore që t’ju shkoje ata të hapnin derën dhe të mirëprisnin dhe kurrë nuk bezdiseshin nga ecëjakët e mia. Im atë gjithmonë më këshillonte që të kisha kujdes me fqinjët, të jem gjithmonë i sjellshëm me ata, t’i përshendesësh në rrugë dhe kur të kanë nevojë të vraposh pas hallit të tyre . Ky ishte ai edukimi që morëm nga prindërit tanë për të respektuar njeriun që bashkëjeton me ty, në një pallat, në një rrugicë, në një lagje, në një qytet apo në një fshat. Pra të respektosh këtë njeri me të gjitha larmishmëritë që ka, sepse fundja fundit me atë do ndash të mirat dhe të këqijat që të sjell fati i jetës.
Tani problemi ështe se për mua jeta nuk ka kuptim pa e patur njeriun e bindjeve ndryshe, pra duhet edhe e djathta sepse boshti për të qëndruar ka nevojë për të dyja kahët. Pra nëse e lëmë të anojë vetëm tek e majta, apo tek e djathta trungu është i predispozuar në çdo moment të rrëzohet. Pra nëse e lëmë një qeveri i çfarëdo kahu të jetë, të rrëzojë trungun pra shtetin nënkupton se pushteti ka degraduar dhe është i kapur në duart e një grupi njerëzish që nuk kanë të bëjnë me ideologjitë dhe interesat e votuesve, por luftojnë për interesat e tyre personale dhe shembujt kanë treguar se në këto raste kthimi në diktaturë ka qenë i pashmangshëm.
Nëse flasim për situatën në Shqipëri ku e majta është e konsiliduar nga socialistët, dhe e djathta është e shkërmoqur si asnjëherë, atëherë lind pyetja se ku është vertetë ajo e djathta bio e shqiptarëve që nuk e lidhte asgjë me sistemin e kaluar përveç përndjekjes dhe persekutimeve në ekstrem. Sepse kjo e djathtë që po zihet dhe që kishte ndarë qeverisjet me socialistët për 34 vite po tregon se të shkuarën e kanë patur të përbashkët vetëm që kanë ndërruar kahët e ngjyrën për ti shërbyer xhepave të tyre.
Ajo që monizmi i veçoi, i torturoi, i përsekutoi dhe në fund i vrau gjyshërit e tyre, ata nuk po i shikoj gjëkundi të bashkuar, veçse presin mëshirën e fatit se dikush do dalë e do i mbrojë kauzat e tyre.
Këtë të djathtë po kërkoj unë si i majtë që jam, por më shumë shoqëria ime këtu në diasporë që vertetë monizmi i përsekutoi të dergjur burgjeve famëkeqe dhe sot nuk kanë asnjë dritë shpresë. Atë po kërkon edhe një miku i im, i të djathtës së ndershme, Gjon Destanishta që sot jeton si qytetar i SHBA-së, i cili përvçse votoi për Trump-in, ligji i ri zgjedhor si pjesë e diasporës i jep të drejtën të regjistrohet e të votojë edhe jashtë Shqipërisë për vendlindjen e tij.
Vota e familjes së tyre ka qenë gjithmonë për të djathtën e vertetë, por gjithmonë kanë qenë të zhgënjyer sepse akoma nuk ka dalë një lider i përsekutuar që nuk është i përlyer me të shkuarën që ti përfaqësojë ata në idealet e të parëve të tyre. Emrin Gjoni e ka marrë nga gjyshi i tij, një ish gjeneral i besuar i Zogut, por mbi të gjitha një patriot i madh i vendit kundra hordhive serbe, por që regjimi e burgosi se i sherbeu eprorit të tij duke ja mohuar vlerën e tij prej atdhetari vetmohues.
I biri i tij, i ndjeri Nikolin Destanishta për shkak të biografisë gjithë jetën që fëmijë u internua por që nuk e shuajti kurrë dashurinë për vendin e tij, për Shkodrën e tij, për njerëzit që e rrethonin dhe e vlerësonin si burrë fisnik e të mençur. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ai kurrë nuk u ankua për fatin e keq të jetës së tij e të familjes së tij prej bindjeve të djathta, dhe asnjë nga bashkëqytetarët e tij nuk i fajësoi për mëkatet e regjimit, përkundrazi gjithë jetën e tij tek njerëzit jepte respekt me një atdhedashuri të madhe. Ashtu u largua në jetën hyjnore duke lënë një trashëgimi familjare të shëndetshme, por gjithmonë me pengun se e djathta e persekutuar një ditë do ketë liderin e tyre për të mbrojtur idealet e tyre, për të drejtat e tyre absolute që ju takojnë. Atë po kërkon tani i biri i tij, Gjoni, dhe gjithë bashkëvuajtësit e tyre që ndodhen në Amerikën e largët, por vërdallë tyre po ju vijnë përsëri përfaqësuesit e dy partive të mëdha me plot premtime por që gjithmonë për ata kanë qenë boshe e zhgënjyese duke i bërë dy herë të përsekutuar .
Nëse unë si i majtë, vota ime predispozohet se është e mbrojtur nga socialistët e ndershëm, po për Gjonin si i djathtë i ndershëm ku do shkojë vota e tij? Kush do ta mbrojë e do ta përfaqësojë të djathtën e tij të përsekutuar, pra cili politikan i djathtë i ndershëm dhe i pa përlyer do ta mbrojë kauzën e tyre të vertetë ku gjyshërit e prindërit e tyre sakrifikuan duke vuajtur si martir i internimeve e burgjeve më të egra të regjimit monist.