Finalja ‘Klasike’ e zhvilluar në Jeddah ishte e mbushur me emocione në gjithë 90 minutat e zhvilluara, me katalanasit që përmbysën gjithçka edhe pse e mbyllën me dhjetë lojtarë ndeshjen.
Sfida nisi mirë për Realin, që kaloi në epërsi pas vetëm pesë minutave lojë me Mbappe. Ekipi i Hansi Flick u përgjigj me Yamal në të 22 minutë për të vendosur ekuilibrat. Pas këtij momenti Barça “u ndez” dhe shënoi edhe tre herë të tjera brenda pjesës së parë me Lewandowskin, Raphinhan dhe Balde.
Nisja e fraksionit të dytë nisi siç u mbyll i pari, me Raphinhan që shënoi golin e pestë duke turpëruar “Galaktikët”. Në minutën e 56-të Barça mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të portierit Szczesny për një ndërhyrje të gabuar nga jashtë zonës.
Goli i Rodrygo në minutën e 60-të shërbeu sa për statistika dhe gjithë ndeshja u mbyll 2-5 me dominimin absolut të Barcelonës.
Pasi i mposhti 0-4 në “Bernabeu” në 26 tetor 2024, Barça përsërit sërish suksesin në “El Clasico”, por këtë herë ngre lart edhe trofeun e kampionit të Superkupës së Spanjës duke nisur vitin 2025 mbarë. Te madrilenët Ancelotti duket se ka shumë punë përpara. Trajneri Hansi Flick shijon kështu trofeun e parë me Barçën.