Qindra besimtarë ortodoksë po gdhinë sot natën në Tiranë duke u lutur për shëndetin e Kryepeshkopit Anastas, i cili ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore në një spital në Athinë.
Besimtarë të shumtë ortodoks u mblodhën këtë të Premte, dt.10 Janar 2025, për të kryer një “agripni” për Shën Theodhos Kinovjarkun në Kishën e “Ungjillëzimit” tek “Rruga e Kavajës” në Tiranë.
Të gjithë besimtarët së bashku u lutën edhe për shëndetin e Kryepiskopit Anastas, për shkak të vështirësive që po kalon ditët e fundit.
“Agripnia”, nisi me Mbrëmësoren dhe më pas vazhdon me Mëngjesoren duke përfunduar me Liturgjinë Hyjnore deri në agim të ditës.
Shërbesat e Shenjta po drejtohen nga Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili dhe klerikë të tjerë të Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare.
Kryepeshkopi Anastas u përkeqësua një javë më parë dhe udhëtoi drejt Athinës për një trajtim më të thelluar mjekësor. Prej sot në mesditë, ai ndodhet në dhomën e kujdesit intensiv.
Për të janë lutur sot edhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë, si dhe besimtarët ortodoksë në Shqipëri, duke shpresuar për përmirësimin e tij të shpejtë.