Kam gjithë këto vite që e vuaj këtë histori. Sa herë që shoh mbesën (që në të vërtetë është ime bijë) në sy, dridhem. Nuk e di ku e gjej forcën që nuk shkoj ta shtrëngoj fort, ta përqafoj dhe t’i them se unë jam i ati. Por e di që kjo do të shkaktonte shumë vuajtje, shumë dhimbje. Përveç kësaj, kam frikë se ajo pastaj do të më urrejë. Edhe pse më thërret xhaxha, jemi shumë të lidhur bashkë, më admiron, prandaj po të marrë vesh të vërtetën do t’i shembet i gjithë imazhi që ka për mua. Dhe unë këtë nuk do ta doja kurrë! Imagjino pastaj po ta marrë vesh ime shoqe apo im vëlla që unë dhe gruaja e tij kemi pasur një marrëdhënie! E di që është gjëja më e shëmtuar që mund t’i bëjë vëllai vëllait, por nuk mund ta kthej më kohën pas. Ajo që ndodhi, ndodhi dhe fryt i asaj marrëdhënieje të shkurtër, por shumë të zjarrtë, është V., vajza ime, që mendon se më ka xhaxha.
Unë kisha katër vjet që isha martuar, kur u martua edhe im vëlla. Kishim veç shtëpinë e prindërve. Aty jetoja edhe unë me gruan dhe dy fëmijët, aty vazhdoi të jetonte edhe im vëlla dhe gruaja e tij pasi u martuan. Shtëpia ishte e madhe dhe kishte vend për të gjithë. Tani e di që ajo që ndodhi nuk duhej të kishte ndodhur. Ndoshta e dija edhe atëherë, por u turbullova dhe nuk iu binda dot arsyes. Pa e kuptuar nisëm të ngacmoheshim me njëri-tjetrin me shikime apo veprime, pa folur asnjë fjalë. Askujt nuk i ramë në sy. Dhe momentin e parë që mbetëm vetëm të dy, ndodhi ajo që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Nisëm një histori plot pasion. Asnjëri prej nesh nuk e çonte nëpër mend që të prishte familjen e vet, por as nuk mund të frenoheshim. Në fund të fundit, familja jonë ishte një.
Im vëlla dhe gruaja e tij që kur u martuan përpiqeshin të bënin një fëmijë, por ajo nuk po ngelej shtatzënë. Kaloi më shumë se një vit, por asgjë. E dija shqetësimin e tyre sepse im vëlla më ishte hapur. Më dukej vetja një njeri i pështirë për atë që bëja, por e kisha të pamundur ta ndaloja veten. Nuk e kisha përjetuar ndonjëherë atë pasion, as kur kam qenë adoleshent. Ajo ishte shumë e bukur, tërheqëse, provokuese. Me të jam ndierë ashtu si nuk jam ndierë kurrë me gruan time. Ime shoqe është një grua punëtore dhe e përkushtuar, por asnjëherë nuk është përpjekur ta mbajë veten dhe të bëhet e dëshirueshme si femër. Kjo më mungonte. E di që nuk mund të justifikohem për atë që kam bërë, sado arsye të gjej për atë që ndodhi.
Një ditë, ajo (gruaja e vëllait), në një nga takimet tona të fshehta, më tha se po i vonoheshin periodat. Shtanga, nuk dija çfarë të bëja, ku nuk më shkonte mendja. Nuk doja që të isha unë ai që ta kishte lënë shtatzënë. Menjëherë e ndjeva se ajo ishte shtatzënë. Kisha frikë se kjo shtatzëni mund të zbulonte të fshehtën tonë. Ende kam frikë se do të vijë ajo ditë kur e vërteta do të dalë në shesh dhe unë do të gjykohem nga të gjithë. Kam frikë se do të humb njerëzit e familjes sime. Unë vërtet e bëra këtë poshtërsi, por unë e dua me gjithë shpirt tim vëlla. Nuk kam dashur të lëndoj atë, vetëm jam treguar egoist dhe kam menduar për kënaqësinë time.
Nuk kaluan shumë kohë dhe u mor vesh që gruaja e vëllait ishte shtatzënë. Unë fillova të bëja llogaritë se kur mund të kishte mbetur shtatzënë, që ta kuptoja nëse mund të isha unë babai apo jo. Sa më shumë llogari bëja, aq më shumë më mbushej mendja se ai fëmijë ishte i imi. Madje shkova dhe u konsultova edhe me një mjek gjinekolog, që të isha i sigurt për llogaritë që bëja. E mbaj mend ditën kur supozohet të kem lënë shtatzënë nusen e vëllait. Atë ditë vëllai ishte në Tiranë. Sa do të doja që edhe ai të kishte qenë atje. Të paktën do të kisha dyshimin se mund të kishte shkuar edhe ai me gruan e tij dhe fëmija do të ishte i atyre të dyve.
Në momentin kur u mor vesh se gruaja e vëllait ishte shtatzënë, ne e ndërpremë marrëdhënien. E lamë që të hidhnim gjithçka pas krahëve, të harronim atë që kishim kaluar dhe të vazhdonim jetën, secili me familjen e tij. Dhe kështu u bë. Kam përshtypjen se ishte frika që ndjenim të dy ajo që na bëri ta respektonim këtë marrëveshje. Jo rrallë herë jam tunduar që të shkoj përsëri tek ajo, por nuk e kam bërë për të mos e rënduar më shumë këtë situatë ku ndodhemi.
Që nga momenti që i dhamë fund lidhjes sonë, mendja më punonte vetëm në një drejtim, si të largohesha nga Shqipëria dhe të jetoja larg me gjithë gruan dhe fëmijët e mi. Më vinte rëndë që të përballesha me gruan e vëllait, me vëllain dhe me prindërit. Edhe pse vëllai nuk e dinte se çfarë kisha bërë, ndërgjegjja ime nuk më linte të qetë. Erdhi një moment që nuk e shikoja dot në sy sepse më dukej sikur ai më lexonte mendimet. Nuk kishim mundësi që të dilnim në shtëpi më vete e jo më të shkonim larg.
Kur erdhi në jetë V., diçka brenda meje ndryshoi. Frika ia la vendin një ndjenje tjetër. Unë kam dy fëmijë me time shoqe, por e them me bindje dhe keqardhje se kur kanë lindur ata nuk kam përjetuar as gjysmën e emocionit që ndjeva kur më dhanë në duar V-në. Ai fëmijë është kopja ime. Të gjithë thonë se më ngjan mua. Vetëm mamaja e saj nuk bën komente. Ajo thotë se ngjan nga raca e të atit, por nuk më përmend mua në veçanti. Kur lindi V. dëshira ime për t’u larguar nga ajo shtëpi u venit. Doja të qëndroja pranë V-së dhe ta shihja tek rritej. Madje edhe ime shoqe e vuri re përkushtimin tim ndaj V-së. Një ditë më tha: “Ti nuk ke bërë kështu për fëmijët e tu”. Nuk e tha me të keq, ishte veç një konstatim nga ana e saj. Nuk kam qenë ndonjëherë tip i dhënë pas fëmijëve, por që kur lindi V. kam ndryshuar. Kam arritur deri aty sa kur e kam parë që e kanë lënë vetëm në dhomë, kam hyrë fshehurazi dhe kam luajtur me të. Sa e sa herë e ndjek me sy kur luan dhe ruaj distancën, që të tjerët të mos ngrenë dyshime për sjelljen time. Kam qenë i pranishëm gjatë gjithë rritjes së saj. Unë jam një ndër njerëzit e saj më të afërt. Për shumë gjëra vjen dhe flet me mua. Kur do ndonjë gjë apo ka nevojë për mbrojtje vjen tek unë. Ndihem njeriu më i lumtur në ato momente.
Kam pak kohë që kam dalë në shtëpi më vete me gruan dhe dy fëmijët. E mora këtë vendim sepse e pashë që gjithmonë e më shumë bëhej e papërballueshme për mua që t’i qëndroja pranë V-së e të mos i thosha që ajo është vajza ime. Nuk jua shpjegoj dot kontradiktën që ndiej brenda vetes. Nga njëra anë dua që të gjithë ta dinë që ajo është vajza ime. Jam krenar që kam një vajzë si ajo. Dua që ajo ta dijë se unë jam babai i saj. Nga ana tjetër kam frikë se po të merret vesh e vërteta e gjithë familja jonë do të shkatërrohet, të gjithë do të vuajnë, ndërsa unë dhe nusja e vëllait do të ndëshkohemi, do të përzihemi përgjithmonë nga familja. Vetë V-ja nuk do të na shohë dot me sy. E di se nuk mund të fajësoj askënd që do të na përbuzë nëse merret vesh e vërteta. Ndoshta edhe unë po të kisha qenë në vendin e tim vëllai do të kisha bërë gjënë më të rëndë të mundshme.
Ndonjëherë shoh ëndrra me sy hapur dhe pastaj mallkoj veten për mendimet që më kalojnë nëpër kokë. Meqë në këtë shkrim unë do të mbetem anonim, po guxoj t’ju them ato mendime që nuk do të doja t’i mendoja. Sa herë ëndërroj sikur im vëlla dhe ime shoqe nuk janë më dhe unë kam në krahë nusen e vëllait e na rrethojnë 3 fëmijë, fëmijët e mi, mes të cilëve edhe V-ja. Fantazoj sikur ndodhin gjëra të tmerrshme, që i marrin jetën vëllait dhe nuses time. E di që është e tmerrshme. Nuk do të doja t’u ndodhte asgjë e keqe atyre. Unë i dua dhe i vlerësoj që të dy, por…
E di që në këtë histori ka vetëm një njeri të keq dhe ai jam unë. Nuk e mohoj dot. Nuk do të doja të kisha shkaktuar gjithë këtë mesele, por tani jam vonë dhe nuk mund të bëj asgjë që ta kthej pas. E di që nuk ka asnjë zgjidhje për situatën ku ndodhem. Çdo zgjidhje e mundshme do të shkatërronte jetën e njerëzve të mi të dashur, prandaj nuk kam ndër mend të bëj asgjë, pavarësisht mendimeve të shumta që më kalojnë në kokë.
Kam bërë një gabim të rëndë, pasojat e të cilit do t’i vuaj gjatë gjithë jetës. Jam i dënuar që të jetoj me një brengë të madhe në shpirt. Nga njëra anë do të më përndjekë përgjithmonë faji që kam bërë në kurriz të tim vëllai dhe nga ana tjetër do të jem gjithmonë i brengosur sepse kam një fëmijë që nuk do të më njohë kurrë për baba.
Ju lutem, mos më gjykoni! Boll të rënduar e kam ndërgjegjen. Unë e vuaj çdo ditë fajin që kam bërë. Vendosa të shkruaj në këtë gazetë sepse nuk mund të flas me asnjeri për këtë gjë. Doja vetëm të shfryhesha se kam kaq vite që e mbaj brenda vetes këtë histori të rëndë. As vetë nuk e di si nuk jam çmendur. Ndoshta do të kishte qenë më mirë po të isha çmendur. Të paktën nuk do të isha i vetëdijshëm për asgjë nga ato që kanë ndodhur. Nuk dua të ndëshkoj askënd me papërgjegjshmërinë që kam treguar. Ju lutem, mos e gjykoni as gruan e tim vëllai! Edhe ajo është pjesërisht viktimë, edhe pse në anën e errët të kësaj historie. Ajo, ashtu si edhe unë, është viktimë e ndjenjave të veta, e pasionit që na pushtoi të dyve.
Për ta mbyllur, dua t’ju them se sot për sot njeriu më i rëndësishëm dhe më i shtrenjtë për mua është V., vajza që nuk do të më thërrasë kurrë baba.