Një 49-vjeçar, pronari i një minimarketi në fshatin Kalamaki të Larisës ka përjetuar momente tmerri pasi rreth orës 20:00 të së martës tre grabitës i kanë zënë pritë.
Ashtu si dhe ai pohoi për mediat greke, gjithçka ndodhi kur ai mbylli dyqanin dhe do të shkonte në banesën e tij. Por, në mes të rrugës e priste njëri prej tre grabitësve me thikë në dorë, ndërsa pak sekonda më vonë u shfaqën edhe të tjerët, ku njëri prej tyre mbante në dorë një armë tip kallashnikov.
Pasi e kanë detyruar t’u japë 4000 euro që kishte me vete dhe celularin, më pas tre hajdutët e kanë çuar në shtëpi.
Tre grabitësit nisën të pyesnin me këmbëngulje se ku i ka paratë dhe pasi 49-vjeçari iu përgjigj “nuk kam më”, e mbyllën në një nga dhomat e shtëpisë. Ata kërkuan, nuk gjetën asgjë dhe u larguan në drejtim të paditur,
Mediat lokale thonë se grabitësit ishin me origjinë shqiptare, bazuar në përshkrimet e mbledhura nga policia.