Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka shkarkuar nga pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Shemsi Prençi. Në krye të kësaj Drejtorie mësohet se ka kaluar ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako. Mësohet se Prençi është shkarkuar përmes një njoftimi të ministres Xhaçka.
Haki Çako merr drejtimin e Emergjencave Civile pas drejtimit për rreth 3 vite kur u shkarkua nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, në janar të këtij viti. Pas shkarkimit nga detyra e Drejtorit të Policisë, Çako u emërua si këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes në Prill të vitit 2018.
Çako vjen në drejtimin e Emergjencave Civile pas një eksperience gati 20-vjeçare.
Çako ka nisur karrierën e tij në Janar të vitit 1998, si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Kuçovë, e në muajin shtator të të njëjtit vit si shef i Policisë Kriminale të Komisariatit numër 1, në Tiranë. Më pas, është emëruar si inspektor kundër Akteve Terroriste. Sakaq, në vitin 2003, ka mbajtur detyrën e specialistit në Zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta, dhe më pas shef i Komisariatit të Policisë Vlorë. Në vitin 2006 është emëruar specialist i Antiterrorit në Elbasan, për t’u larguar më pas me dëshirën e tij.
Çako është rikthyer në vitin 2010 në Policinë e Shtetit dhe në 2013 është emëruar zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, detyrë që e ka mbajtur deri në 31 mars të 2014. Për rreth 15 vite mësohet se Çako ka shërbyer në Policinë Kriminale dhe Hetimin e Krimeve. Ka qenë drejtues dhe pjesëmarrës në një sërë operacionesh policore, ku vlen të përmendet edhe operacioni antidrogë në Lazarat./Shqiptarja.com