Mësohet se vendimi për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë mund të mos jepet më 28 qershor. Shtyrja e vendimit duket se vjen pas mungesës së konsesusit në Këshillin Europian.
Burime diplomatike bëjnë me dije se kancelarja ka kërkuar sot në punimet e Bundestagut gjerman që të mos ketë diskutime për Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke patur parasysh se vota kundër e Francës dhe Holandës e bën të pamundur vendimmarrjen në datë 28 qershor.
Ditën e sotme, ishte parashikuar që Bundestagu gjerman të votonte pro ose kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Burimet shtojnë se Merkel është shprehur sot në Parlament se në këto kushte, mbledhja e datës 28 qershor e ka të pamundur marrjen e një vendimi.
Në konflikt të hapur me presidentin Francez, Emmanuel Macron mbi fatin e zgjerimit të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel është duke menduar që diskutimi për Maqedoninë dhe Shqipërinë të shmanget nga axhenda e mbledhjes së KE-së, përsa kohë që vetë BE-ja nuk e ka të vendosur nëse do të vazhdojë zgjerimin apo jo me vende të reja.