Nga Flogert Muça
Ndërkohë që Bashkimi Europian është i ndarë mes vetes nëse duhet të vazhdojë zgjerimi apo duhet të reformohet vetë BE-ja së pari, në Tiranë vazhdon beteja pro dhe kundër rrugëtimit të Shqipërisë drejt saj. Është një betejë të cilën në fakt duhet ta kryenin bashkë duke qenë në të njëjtin krah opozita dhe mazhoranca pasi bëhet fjalë për të ardhmen e shqiptarëve, por nuk ka ndodhur kështu. Opozita në mënyrë paradoksale ka dalë jo vetëm kundër Shqipërisë, por edhe kundër raporteve të BE-së që thonë se Shqipëria ka përparuar dhe është në drejtimin e duhur të reformave ndaj dhe duhet të çilen negociatat.
Është i qartë dhe jo më befasues qëndrimi i opozitës në Tiranë, i cili edhe pse mund të mos jetë vendimtar, mjafton për të na nxjerrë të përçarë turpshëm edhe kur vjen puna për të ardhmen e përbashkët europiane.
Jetojmë në epokë të çudirave dhe paradokseve të mëdha politike. Sot, Greqia lobon fort që të hapen negociatat Shqipëri-BE, ndërkohë që opozita shqiptare lobon kundër. Dje ministri i jashtëm grek Kotzias në një preononcim për ”Euractiv” shprehej se Greqia po punon që Shqipërisë dhe Maqedonisë tu ndizet drita jeshile. Thënë këtë, jetojmë në kohën kur Greqia e do Shqipërinë më shumë se opozita shqiptare. Një paradoks që në fakt nuk lidhet vetëm më Greqinë si rast specifik, por është vetë filozofia e opozitës shqiptare. Ka ardhur dita ta themi: ”Sikur të na donte Lulzim Basha, sa ç’na do greku”.
Kjo strategji po ta analizosh të shtrirë në kohë është në fakt e vazhdueshme nga ana e opozitës. Në çdo rast kur ne kemi marrë si shtet mbështetje për një reformë apo “OK” nga eskepertët ndërkombëtarë për një projekt, opozita ka dalë kundër të gjithëve duke mos patur ndonjë propozim konkret por thjeshtë duke sulmuar politikisht. Pikërisht nga kjo lëvizje e gabuar e saj, ka bërë që meritat për punët e mira të bëra tja faturojë të gjitha mazhorancës edhe kur ka patur mundësi të japë kontributin e saj e pse jo të bëheshin më shpejt disa prej tyre.
Opozita shqiptare ka dalë kundër reformës në drejtësi qysh në fillim të saj. E nisi duke bojkotuar dhe e bitisi duke e votuar nga presioni i madh amerikan e europian. Arriti deri aty sa sulmoi edhe ambasadorët, OPDAT e Euralius se ishin të blerë nga Edi Rama. E kur SHBA e BE i thanë se janë ata garantë në këtë proces, u dorëzua duke e votuar në Kuvend. Megjithatë, arriti të vonojë jo pak procesin. Ishte ky rasti i parë që i treguan botës dhe shqiptarëve se janë kundër fillimit të ndryshimit në Shqipëri.
Në ditën që KE dha raportin për ecurinë e Shqipërisë duke rekomanduar çelje pa kushte të negociatave me BE-në, opozita shqiptare sërish doli e nxiu vendin, duke thënë se raportet e BE-së nuk janë të sakta. E (pa) kuptueshme se si një opozitë të jetë kaq kundër vendit të saj edhe kur të tjerët duan t’i japin vendit një dorë për të ecur përpara. Megjithatë, kjo nuk mbaroi me kaq. Kudo vajti Lulzim Basha me çdo mjet mediatik e jo vetëm, sulmoi dhe nxiu vendin si të ishte armik i popullit të tij. Kaq vetëm sa i përket aspektit të asaj që mund të quhet ‘politika e madhe kombëtare’, por nuk mbaron këtu, pasi e njëjta strategji u përdor nga opozita edhe për projektet lokale.
Për shembull të gjitha projektet e mëdha të Bashkisë Tiranë, duke filluar nga Sheshi Skëndërbej, Pazari i ri, Bulevardi i Ri etj, që kanë marrë çmime të para nga arkitektët botërorë në konkurse prestigjoze, janë sulmuar e kundërshtuar nga opozita.
Kjo strategji e opozitës për t’i treguar shqiptarëve me çdo kusht se e duan Shqipërinë më pak se çe do Greqia apo shtetet e tjera të BE-së apo helmi i hedhur kur bota na nderton për punët e mira publike është ajo që më së paku do i lërë këto parti gjatë në opozitë.
Sa më herët ta kuptojnë, aq më shumë jetë do i shtojnë partive respektive dhe aq më të lehtë do ja bëjnë jetën shqiptarëve./LEXO.AL