Kryeprokurorja Arta Marku më 3 korrik 2018 ora 10:00 do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut. Vetë komisioni i Vetting ka bërë publik seancën dëgjimore me kryeprokuroren, e cila prej 6 muaj drejton akuzën shqiptare.
Gjyqtarët që do të kalojnë në filtër pasurinë, anën morale dhe profesionale të Markut janë Genta Tafa Bungo, kryetarja e komisionit të Vettingut, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.
Seanca për Markun do të jetë të martën më tre korrik ora 10:00 paradite, ndërsa pritet që vetë kryeprokurorja të jetë e pranishme në këtë seancë dëgjimore.
Marku është në listën prioritare të subjekteve, që do të kalojnë në filtrat e Vettingut. Marku erdhi në krye të akuzës me 69 vota duke zëvendësuar Adriatik Llallën, ndërsa zgjedhja e saj u bë si e përkohshme deri në ngritjen e institucioneve të reja, si KLP dhe KLGJ, që do të përzgjedhin më pas kreun e ri të Akuzës dhe gjyqtarët.
Arta Marku është subjekti i dytë më i lartë në piramidën e institucioneve të drejtësisë që i nënshtrohet Vettingut, pas kreut të Gjykatës Kushtetuese që pak ditë më parë kaloi me sukses filtrin e Vetting.
Arta Marku rezulton me një pasuri modeste dhe aktualisht është transferuar me banim në Tiranë me një apartament, qiranë e të cilit e paguan shteti, pasi ajo është me banim në Shkodër dhe u transferua për shkak të postit në kryeqytet.
Paçka këtij procesi, figura e Arta Markut ka kaluar dhe më parë gjatë një kontrolli paraprak në momentin që ajo u nënshtrua garës për prokurorin e përgjithshëm të përkohshëm.
Gjatë këtij procesi në Parlament u depozituan të dhëna nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar dhe zyrat e Tatimeve e Hipotekave, ku Marku rezulton ligjërisht në rregull./Shqiptarja .com