Muli kishte planifikuar që sot të sinkronizonte protestën në Londër, para Ambasadës shqiptare, me atë në Tiranë.
Por gjithçka shkoi keq. Në Tiranë, përveç bllokimit të trafikut, që edhe ashtu është gjithmonë i bllokuar, nuk mundi të nxirrte më shumë se 100 njerëz, ndërsa në Londër protesta arriti të mblidhte gjithsej 10 vetë.
Pas kësaj, Muli vendosi t’i dërgojë një notë Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë.
Letra e Mulit:
“I nderuar zoti ambasador,
Bashkëqytetarët e mi kuksianë në Londër më njoftojnë se ju dhe qeveria juaj keni përhapur një valë terrori në Londër kundër anëtarëve të PD-së, duke thënë se kush del në protestë para Ambasadës së Shqipërisë, do t’u digjen letrat dhe do të kthehen pas.
Kjo ka bërë që mijëra qytetarë, që dëshironin të protestonin para Ambasadës, të tremben dhe të mos dalin.
Me këto akte, duke filluar nga shpallja “non grata” e Doktor Berishës dhe imja personalisht, e deri te frikësimi i demokratëve, po bëheni bashkëpunëtorë të Sorosit dhe të neodiktaturës në Shqipëri.
Ju ftoj të reflektoni sa më parë, ndryshe ata që munguan sot para Ambasadës shqiptare në Londër, do t’i sjellim para Ambasadës suaj në Tiranë.
Presim reflektim të menjëhershëm.
Me respekt, Muli!”
Letra sikur e lehtësoi Mulit shpirtin, dhe ia dha Lelos ta përkthente në anglisht.
-Shumë të mirë e paske bërë, tha Lelo, por shtoi:
Mendoj mos ta bëjmë publike, se do terrorizohen edhe ata që nuk e kanë marrë vesh.
Vetëm t’ua çojmë atyre me email.
Madje, ndoshta më mirë të mos e lexojnë fare, se mos ndoshta ua shtijmë në mendje ndonjë gjë që s’e kanë bërë ende!