Superliga shqiptare e futbollit mbylli të diel raundin e 19-të ose të fundit për këtë vit 2024. Futbolli elitar në Shqipëri do rikthehet fundjavën e 11-12 janarit 2025, ndërsa shumë klube janë me problematika.
Ndër emrat që kanë bërë 19 javë jo në nivelin e duhur është edhe Tirana. Klubi më i titulluar në vend u mposht nga Laçi dhe tanimë e gjen veten në pozitën e tetë me 18 pikë, duke qenë në zonën play-off. Një dështim për ekipin që u ndryshua thuajse totalisht në verë me elementë të rinj.
Kjo formë jo e mirë dhe problematika me pagat kanë bërë që pesë nga emrat e skuadrës aktuale të jenë me “valixhe në duar”. Arhan Isuf, Florjan Përgjoni, Admir Bajrovic, Mahmadou Dembele, Walid Jarmouni kanë oferta nga klube të tjera dhe largimi i tyre mund të jetë një tjetër goditje për ekipin e drejtuar nga Gugash Magani.