Organet e reja të drejtësisë në vjeshtë pritet të jenë gati. Pas shumë zvarritjesh, akuzash dhe sulmesh nga të gjitha palët politike, brenda pak muajsh reforma do japë efektet e pritshme. Komisioni i Pavaruri i Kualifikimit konfirmoi dje në detyrë gjyqtaren Brikena Ukperaj, gjyqtare në Vlorë dhe njëherësh kandidate për në KLGJ.
Ndërkohë dje u zhvillua seanca dëgjimore me prokurorin e Shkodrës, Vate Staka, i cili është kandidat për në KLP. Më 28 qershor në seancë dëgjimore do të jetë gjyqtari i Tiranës, Artan Laze, njëherësh kandidat për në KLGJ. Nëse shihen rezultatet e Komisionit të Vetingut gjatë javëve të fundit, rezulton se nga kandidatët për në KLGJ dhe KLP janë futur në veting plot 9 kandidatë, nga 32 që janë në total. Kjo do të thotë se tani pritet rezultati për 23 prej tyre.
Gjatë javëve të fundit KPK ka zhvilluar nga dy ose tre seanca dëgjimore në javë dhe nëse ecet me këtë ritëm, sipas përllogaritjeve do të duhen rreth 2 muaj kohë që të përfundojë procesi i rivlerësimit për ta. Gazeta ka mësuar se komisionerët nuk do të bëjnë pushime vere dhe puna do të vijojë pa ndalim edhe gjatë muajit gusht.
Pra në fillim të muajit shtator kandidatët për KLGJ e KLP janë gati dhe menjëherë kryetari i Gjykatës së Lartë do të thërrasë Mbledhjen e Gjyqtarëve ndërsa kryeprokurorja do thërrasë Këshillin e Prokurorëve, të cilët do të zgjedhin nga 6 kandidatë secili, pra 6 për KLGJ dhe 6 për në KLP. Deri më tani ka pasur shumë debate mbi këtë zvarritje të reformës, por ajo do të përshpejtohet, kjo dhe për shkak të kushteve të vëna nga BE.
Reforma në drejtësi është kusht për hapjen e negociatave dhe ky vit është vendimtar për Shqipërinë. Por ngritja e KLGJ dhe e KLP do të hapë rrugën për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas ligjit, SPAK dhe BKH ngrihen dy muaj nga ngritja e KLP. Kjo e fundit pritet që të ngrihet në nëntor sipas afateve. Pra sinjalet janë se ky vit do sjellë dhe arrestime në nivele të larta dhe luftë të fortë kundër korrupsionit. /Kliti Topalli