Demokratja Ina Zhupa foli në emisionin “Kjo Javë” në News 24 për debatin me tone të ashpra që pati dy javë me parë me socialistin Erion Braçe në Kuvend.
Gjatë debatit dyshja hodhën akuza të rënda ndaj njëri tjetrit, ndërsa nuk munguan as ofendimet.
Pasi Braçe e cilësoi “ruse”, demokratja Ina Zhupa e replikoi ashpër me deputetin socialist, te cilin e quajti si si “‘kone’, që i ‘ha m** goja’!”
Lidhur me këtë Zhupa tha se nuk e ka tepruar me fjalorin e saj. Ajo tha se i ka dhënë përgjigjen e merituar një sulmi personal, ndërsa pranoi se do ta ribënte “sa herë çdo burrë apo çdo njeri tjetër do guxojë të hyjë përtej asaj që është politike.”
Ina Zhupa: Faleminderit që i riktheni këto pamje sepse është mirë të flasim dhe t’i shpjegojmë nga brenda. Konflikti me Erion Braçen lidhet me shqetësimin tim, për ndërhyrjen që duan të krijojnë te mediat dhe shqetësimi që ngrita në këtë seancë, nuk kisha asgjë personale.
Mua më shqetëson çdo gjë që kalon në personale që parashtrohet ne atë seancë, jo parfumi, jo pri thonjtë, ai atë epitetin ruse mund ta thotë për mirë por edhe për keq, por mua nuk më pëlqen të preken të tilla gjëra.
Shprehjet që përdora janë shprehje të popullit shqiptar dhe nuk theva asnjë kod të etikës. Ai luajti rolin e viktimës. Vetëmbrojtja në këtë rast ishte për një mesazh që kur cënoheni nga një burrë duhet të thyeni këtë cënim.
Si është kur këmbehen fyerje, e takuat zotin Braçe?
Ina Zhupa: Jo nuk e kam takuar Braçen, nuk erdhi as në seancën e kaluar, kemi një marrëdhënie që ju e keni parë në televizion qëkur mori komisionin e dezinformimit, kjo u bë sepse nuk donin t`ia linin opozitës, dezinformimi lidhet drejtpërdrejt me median. Të gjithat replikat e mia kanë qenë për çështjen dhe jo për çështje personale.
Si reagojnë kolegët për këto përplasje?
Ina Zhupa: Me socialistët kam një parim: nëse ata thonë mirë mendoj negativisht dhe nëse thonë keq atëherë diçka e mirë i ka shqetësuar. Atë akt do ribëja sërish.
Berisha kur foli për çantat nuk po flet për individin po flet për korrupsionin, nuk po flet me gjininë.
Ndërsa këto detaje që mu drejtuan mua ishin komplet personale dhe të drejtpërdrejta.
Zhupa ka folur edhe në lidhje me gjuhën e përdorur me ministren Ogerta Manastirliu në interpelancën e thirrur për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
“Kjo nuk është fyerje, rregullorja e kërkon të jesh i vërtetë, asaj ministreje që ka zhdukur fondet e shqiptarëve me tenderat sekret, ajo ka lënë një mungesë të ilaçeve, ajo i bën qytetarët që të paguajnë për nevojat e tyre në shkolla, mund t`i them hajdute dhe mund të gjej 100 sinonime, jam e gatshme t’i provoj me dokumente se çfarë ka ndodhur me arsimin në këto periudha, çfarë ka ndodhur me shëndetësinë.
Këto ankesa mund të bëhen pa ofendime kur nuk kemi sulme personale unë nuk ia thash për fyerje hajdute, ky është një realitet që e shikon çdo shqiptar, nëse fondet janë zhdukur atëherë këto fonde janë vjedhur. Unë di që fondet e në shëndetësi dhe në arsim janë zhdukur, nuk janë në dispozicion të njerëzve. Unë di vrasjen e 14-vjeçarit në rrethin e shkollës, di edhe ngjarjen e 17-vjeçarit në Cakran. Fëmijët duhet t`i marrin prindërit në orën 11 nga shkolla, fëmijët nuk kanë aktivitete fizike dhe shkollore”, tha Zhupa.