Artistët me dy qëndrime për Teatrin Kombëtar. Pro dhe kundër ndërtimit të teatrit të ri ata dolën me dy deklarata të ndryshme. Deri tani ishte Bashkia e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës përballë Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit dhe Sindikatës së Artistëve të Pavarur të Teatrit Kombëtar, së fundmi grupimi i artistëve të pavarur është për ndërtimin e një teatri të ri. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, drejtoi dëgjesën e tretë për çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar me artistët, arkitektët dhe urbanistë. Më herët dy sindikatat e artistëve, Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) dhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Teatrit Kombëtar (SPATK) bojkotuan dëgjesë e djeshme, duke e cilësuar një farsë. Përballë artistëve që ishin ftuar nga Bashkia, Veliaj disa herë përmendi fjalën negocim, por duket se çështja e projektligjit propozuar nga Ministria e Kulturës nuk ndryshon tek të gjithë artistët. Kryebashkiaku propozoi ngritjen e një përfaqësie artistësh, e cila do të ketë tagrin negociues për të diskutuar mbi projektin e ri të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës përreth tij. “Kemi një propozim për teatër të ri, së dyti kemi propozim për teatër të ri pa ndërtesë sipër. Një monolit totalisht i veçuar nga ndërtimet e tjera, prona e bashkisë apo prona e privatit. Ky është progres, kemi avancuar nga ideja. Ka një kërkesë tjetër që teatri gjithashtu të jetë në territorin e vet të pa cënuar. Gjithë kjo energji e mirë besoj se do të na çojë në një rezultat”, tha Veliaj. Aktori Artan Imami, i cili foli në emër të artistëve të pavarur u shpreh pro ndërtimit të një teatri të ri, duke mos tjetërsuar pronën rreth teatrit. “Përfshirjen e detyrueshme në komisionin e negocimit që do të ngrihet për zhvillimin e këtij projekti me qëllim për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Shprehim dakordësinë tonë dhe nevojën emergjente për një godine të re të Teatrit Kombëtar. Prona që posedon Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar duke mos cenuar tjetërsimin, e asnjë pjese të kësaj prone apo vendosjen e saj në favor të partnerit privat për zhvillimin e pjesës tjetër të projektit”, tha Imami. I pranishëm aktori Neritan Liçaj lexoi deklaratën në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, dhe u shpreh se nuk do të ketë konsensus me askënd nëse nuk tërhiqet projektligji për shembjen e teatrit. “Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë konsensus me askënd për sa kohë nuk tërhiqet ai pr/ligj që grabit tokën e TK. Jemi të hapur për ndërtimin e një godine të re në një vend tjetër publik me para publike”, tha Liçaj, i cili më pas u largua.
Mungesë dialogu nga Ministria e Kulturës
Deri tani Teatri Eksperimental nuk është përmendur nga Ministria e Kulturës dhe as nga Bashkia. Në këto kushte drejtori i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Kiço Londo i drejtori pyetjen kryebashkiakut se çfarë do të ndodhë me institucionin, që ai drejton. “Po flitet për Teatrin Kombëtar, palët janë ndarë në dy pjesë po nuk thuhet asgjë për Teatrin Eksperimental. Ku do të shkojë ky teatër? Jam për teatrin e ri, po ku do të shkojë Teatri Eksperimental”, tha Londo. Aktorja Ema Andrea gjithashtu u shpreh pro ndërtimit të teatrit të ri. “Unë jam për një teatër të ri, për më tepër kur janë këto kushte, por kush e mban këtë përgjegjësi, ku do të jetë garancia qoftë kjo institucionale”, tha ajo. Ndërsa aktori Sokol Angjeli tha se artistët nuk mund të jenë dashamirës me ndërtuesit. “Këtu u tha kush e solli teatrin në këtë gjendje, por ne nuk mund të jemi dashamirës me ndërtuesit”, pohoi Angjeli. Regjisori Altin Basha theksoi se vijon mungesa e dialogut nga Ministria e Kulturës që ka dhe përgjegjësinë kryesore për projektligjin. “Ka një tentativë për të na ndarë në taborë. Projektligjin e ka bërë Ministria e Kulturës, ai projektligj të pezullohet deri sa të arrihet në një përfundim. Projektligji nuk mund të qëndrojë deri në momentin që nuk kemi arritur në një përfundim. Na lini hapësirë dhe kohë që ne ti diskutojmë këto gjëra, por jo me presionin e projektligjit. I kemi bërë thirrje ministrisë për dialog në TK kjo nuk ka ndodhur”, u shpreh regjisori Altin Basha. Kundër ndërtimit të teatrit të ri regjisori Bujar Kapexhiu kërkoi rikonstruksion të TK. “Teatri rikonstruktohet edhe në mënyrë të shkëlqyer”, pohoi Kapexhiu. Ndërkaq që në vijim të protestës mbrëmë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi në oborrin e teatrit takimin “Nata e Korifenjve”./ Nga Julia Vrapi