Kombëtarja shqiptare do të ketë në grupet e kualifikueseve të Botërorit 2026, një kundërshtar si Serbia. Rrjeti po “zien” për këtë sfidë që pritet të jetë një spektakël i vërtetë, teksa në Serbi nisin premtimet.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës serbe, Branko Radujko ka folur për grupin, teksa është ndalur te Shqipëria. Radujko thekson se siguria nga pala serbe nuk do të mungojnë në sfidën kundër Shqipërisë, madje pret të njëjtën gjë edhe në shtetin shqiptar.
“Është e thënë gjithmonë se çdo grup është i vështirë, por i joni është specifik për kompeticionin dhe organizimin. Kur vjen puna te organizimi, ne do të tregojmë se Serbia mund të organizojë dhe evente të tilla. Do t’i organizojmë me nivelin më të lartë të mundshëm për sigurinë.
Shpresoj të mos kemi situatë ku do të ndëshkohemi si së fundmi në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Shqipëria? Jam i sigurt se nga ana jonë, organizimi i ndeshjes do të jetë në nivelin më të lartë të sigurisë. Pres të njëjtën gjë dhe nga kolegët e mi në Shqipëri, kështu besoj se çdo gjë do të shkojë si duhet”, tha Branko Radujko.