Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, Ajola Xoxa ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për kontrollin e ushtruar nga agjentët e BKH-së pak ditë më parë në qendrën ‘Harabel’. Ankimim ka bërë edhe vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj.
Ndërkohë mësohet se avokati mbrojtës i Xoxës dorëzoi ankimin në Apelin e Posaçëm. Të dy avokatët pretendojnë që kontrollet janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.
Ditën e premten me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.
Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”.