Non grata-n e Sali Berishës e çliron një Gjykatë Federale në Amerikë dhe jo një president. Këtë përgjigje dha në A2 CNN, avokati Spartak Ngjela, pas deklaratave të kreut demokrat se do të bëjë të gjitha përpjekjet për heqjen e non gratës sapo të inaugurohet Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Por sipas avokatit Ngjela procedura për shpalljen non grata të kreut të PD-së, nisi që në administratën e parë të Trump. Bazuar në burimet që ai ka me diplomacinë amerikane, Ngjela thotë se non grata e Berishës është shumë e rëndë.
“Ç’punë ka presidenti. Ai nuk e ka kaluar në proces gjyqësor. Ka një afat dhe e hedh në një gjykatë federale në Amerikë. Pse nuk e hodhi ky në gjykatë federale? Se ndjehej i fajshëm. Të shohim çdo të bëjë Trump ky do t’i thotë të çojë në Gjykatë, por ky ka humbur afatin. Ti qëndrojmë historisë; dokumentacioni kundër Saliut si antiamerikan dhe demokracisë amerikane e ka mbledhur Trump por non gratën ia dha presidenti që erdhi pas. Kur Trump ishte president, Saliut i filloi mbledhja e dokumentacionit. Nuk është kaq e thjeshtë e ka shumë të rëndë Saliu, siç më ka thënë diplomacia e lartë amerikane. E vetmja rrugë e tij ishte në gjykatë. Pse nuk vajti në gjykatë?”, tha Ngjela në A2 CNN.
Ngjela theksoi se kjo është një çështje e Kongresit Amerikan dhe nëse është provuar veprimtaria antiamerikane e Berishës, vetëm një gjykatë federale mund ta rrëzojë atë.
“Le ta bëjë po ta fitojë, le ta fitojë, por unë e di që procedurën e ka filluar Trumpi dhe e ka vazhduar ky tjetri që i ka dhënë non gratën. Është çështje kongresi. Nëse ka pasur prova për veprimtari kundër shtetit amerikan nuk rrëzohen dot. Nuk i heq presidenti provat, vetëm një Gjykatë Federale në Amerikë”, deklaroi Ngjela.
Ndërsa për aktin e radhës të mosbindjes civile të njoftuar nga Berisha në 23 Dhjetor, Ngjela thotë se është shkelje ligji.
I pyetur nëse PD është më e fortë me Sali Berishën, Ngjela përgjigjet: “I patë sondazhet? Dobët është, për të marrë pushtetin, se deputetë do të nxjerrin”.