Muli mori pjesë sot në aktivitetin e Forumit Rinor të PD më 8 Dhjetor. Sapo hyri në sallë, të rinjtë u ngritën në këmbë me brohorima pa fund: “Berisha, Berisha!”
Pasi u qetësua turma, Muli mori fjalën.
•“8 Dhjetori është dita reale e themelimit të PD,” tha Muli, “pasi kjo është një parti e lindur në revolucion dhe do të triumfojë përsëri në revolucion…”
Turma shpërtheu përsëri: “Berisha, Berisha!”
•“Xhaxhi Muli,” – i tha një nga të rinjtë, “ku ishit ju më 8 Dhjetor?”
•“Unë kam pasur rolin tim të caktuar më 8 Dhjetor,” – tha Muli. “Por unë isha ilegal, pasi regjimi ishte i egër dhe njerëzit e piketuar që do t’i qëndronin besnik Doktorit, i eliminonte. Nxorrëm në vijë të parë njerëz që e kishin mirë me regjimin dhe nuk rrezikonin. Unë qëndrova ilegal.”
•“Po kush është tjetër nga kryesia e PD që ka qenë më 8 Dhjetor?” – këmbënguli studenti.
•“Jemi të gjithë ilegal,” – tha Muli. “Kemi qenë në ilegalitet se ishim të rrezikuar. Sigurimi i Shtetit i njihte mirë njerëzit dhe kishte listat tona, duke na llogaritur që ne nuk do ta tradhtonim kurrë Doktorin dhe donin të na eliminonin. Kurse të tjerët i lamë të shfaqeshin, se nuk kishin rrezik. Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me Sorosin që atëherë synonte që të sillte në pushtet Edi Ramën. E dërguan në PD, por Doktori e zboi. Pastaj zboi dhe gjithë shokët e tij: Pashko, Ceka, Imami, Selami, Çupi, etj. ndër vite, derisa na erdhi radha neve ilegalëve dhe i dolëm në krah Doktorit që mbeti i vetëm nga ata të 8 Dhjetorit.”
Brohorima në sallë: “Berisha, Berisha!”
•“Edhe unë dua të bëhem ilegal në këtë revolucion,” – tha studenti i gëzuar.