Në Ditën e Rinisë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është rikthyer në Qytetin Studenti për të përkujtuar 8 dhjetorin nga ku nisi beteja për rënien e regjimit komunist.
Ish-kryeministri nën akuzë për dosjen e aferës “Partizani”, gjatë fjalës së tij sulmoi edhe George Sorros, duke e quajtur si mafia ndërkombëtare dhe si autorin që ‘i dha drejtësinë Ramës në dorë’ për të sulmuar atë (ish-kryeministrin), pasi ishte pengesë për ta.
Madje Berisha e ka cilësuar veten si një “gjysmë pensionist” i dorëhequr.
“Mafia ndërkombëtare me në krye George Sorros, këtë mostër të njerëzimit, mostër e vërtetë, që përdor miliardat e tij për të sulmuar jo më pak se identitetin njerëzor, bazën e familjes, shkonfiguruar familjen, kombet.
Pasi i dha drejtësinë Ramës në xhep me reformën e tij, tani duhet t’i hiqte opozitën dhe të plotësonte sundimin e tij absolut në Shqipëri. Gjykuan se kishin një pengesë, një politikan gjysmë pensionist, dhe ky ishte Sali Berisha.
Që kishte dhënë dorëheqjen 8 vite më parë, por i qëndronte njëlloj si në diktaturën e parë, mbronte vlerat e shoqërisë, familjes, interesin kombëtar, ndaj edhe e sanksionuan.
Me synimin e vetëm që partia jonë të shndërrohej aleat e partisë socialiste, të krijohej koalicion i gjerë. Por merita juaj është se mes të parëve u ngritët kundër grushtit të shtetit që u bë për ta dorëzuar”, akuzoi Berisha.