Ngritja e një aktakuzë të re nga Gjykata Speciale ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për gjoja pengim të drejtësisë, ka shkaktuar reagim të ashpër në vend, ku është kërkuar që të ndalohet, siç e kanë konsideruar disa, “përndjekja politike”, madje ka pasur edhe prej atyre që kanë kërkuar edhe zhbërjen e Speciales.
Në aktakuzën e re ndaj ish-presidentit Thaçi, që u publikua të premten, njëri nga ish-drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) akuzohet për pretendime për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili, përmes një postimi në Facebook, theksoi se ngritja e një aktakuze të re për Thaçin, kur tashmë ka katër vite në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.
“Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, shkroi Krasniqi.
Lideri i opozitës, ndër të tjera, potencoi se kërkojnë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa “qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës”.
Pas veprimeve të fundit të Speciales, për Parlamentin e Kosovës, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e pati një kërkesë.
Ajo potencoi se Kuvendi duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatojë për Gjykatën Speciale në Hagë dhe “t’i thotë STOP përndjekjeve politike!”.
Më larg në kërkesën për parlamentin shkoi ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj.
Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pohoi se Gjykata Speciale është krijuar në Parlament të Kosovës dhe konsideron se është pikërisht Parlamenti i Kosovës, si organi më i lartë që duhet ta zhbëjë.
“Ta bashkojmë besimin tuaj në zgjedhjet e ardhshme, NE do ta zhbëjmë. U bo boll!”, premtoi Haradinaj.
Përkrahje pas aktakuzës së re Thaçi mori edhe nga një bashkëpunëtor tjetër i tij, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci tha se lufta e tyre e drejtë nuk mund të zbehet nga asnjë pretendim, as me akuza të reja. “Besimin tonë në drejtësi, nuk ka të drejtë askush ta shpërdorojë!”.
Ndërsa, për gazetarin Lirim Mehmetaj, kjo aktakuzë e re e Speciales, është hic me pak se “persekutim me dokumente”, por vlerëson se “populli s’ka me duru gjatë këtë poshtërim”
“Gjykata Speciale në Hagë me siguri do të mbahet mend si gjykata e vetme në një sistem të supozuar demokratik që ka zbuluar një formë të persekutimit të personave përmes dokumenteve zyrtare”, shkroi Mehmetaj në Facebook.
Në prizmin e tij, është e pabesueshme, madje edhe vajtuese se si në aktakuzën e fundit që e kanë shpikur për Thaçin thuhet se ngrihet aktakuzë se gjykata ka dyshime se është tentuar diçka.
“Dyshim për tentim, pa provim? Pak logjikë. Kur është hera e fundit që keni hasur në diçka të tillë. Kjo është sikur me të denu policia se ia ka marr mendja që ke dashtë me kalu në të kuqen, jo se ke kalu, po se atyre ua ka marr mendja se ke dasht me tentu me kalu”.
Po, megjithatë ai konsideron se kjo nuk është çudi, pasi që vlerëson se “kjo gjykatë politike e kriminale e ka fituar përshtypjen se ky popull duron gjithçka”.
“Kur e ke një qeveri që është e interesuar për dënim e jo për drejtësi, sepse situatën e sheh politikisht e jo kombëtarisht dhe kur e ke një qeveri që është e interesuar për hakmarrje, tolerohen edhe këso gjërash”, beson Mehmetaj.
Si “hileqarë” e ka konsideruar Gjykatën Speciale Artan Behrami, ish-këshilltar i Thaçit. “Nuk e pranojnë humbjen, sepse janë të programuar që të dënojnë me çdo mjet!”, shkroi ai në Facebook.
“Një monstrum juridik me miliarda euro buxhet, pas çdo disfate ankohet, viktimizohet, acarohet-tërbohet!”, shtoi.
Se ka ardhur koha për një auditim të jashtëm të Gjykatës Speciale në Hagë, beson analisti politik Ismail Tasholli, dhe kjo për “PERSEKUTIMIN që po u bëhet njerëzve të UÇK-së”.
Kjo gjykatë, vlerëson Tasholli, “nuk përmbush ma as STANDARDET minimale HUMANE”.
“Pas dështimit të aktakuzës së parë, po nisin me tjetrën. Lëreni politikën; drejtësia duhet të jetë qëllimi!”, shkroi ai në Facebook. /Nga Dini Fetahu