Socialistët kanë propozuar një projektligj për faljen e gjobave të vendosura në zonat rurale, për ata që kanë ndërtuar pa leje.
Propozimi s’do shumë mend për t’u kuptuar, që bëhet për efekt të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të zhvillohen në 11 maj.
Dhe është e kuptueshme që PD të ndihet e revoltuar, pasi PS mund të fitojë një grusht votash më tepër.
Ajo që nuk kuptohet, është se si ka mundësi, që deputetët e PD-së, veç thellojnë dëmet e një projektligji që vërtet mund të ketë qëllime elektorale, por që ata që janë të prekur e mirëpresin, pasi i liron nga një barrë e rëndë.
Skandal, shkruajnë mediat e familjes Berisha, se disa fshatarëve të shkretë, po iu falen disa gjoba ta padrejta, pse ata kanë rregulluar shtëpitë apo kasollet e tyre.
Genocid, ulëriste Flamur Noka në Parlament, pa kuptuar se çfarë thoshte, duke iu thënë atyre të gjorëve, se janë kundër faljes së gjobave.
Legenllëk, e quante Gazment Bardhi, a thua se nga ky projektligj po përfiton ndonjë oligark, që këta nuk guxojnë as t’u përmendin emrin.
Në vend që ta kalonin në heshtje, se po falen gjobat e një ligji të padrejtë, ose maksimumi të kërkonin llogari për këtë ligj idiot, edhe njëherë dolën kundër qytetarëve, nga marrazi se mund të humbasin ca vota nga ky propozim.
Këta kujtojnë se po bërtite e po u përleshe në Parlament kundër çdo propozimi të Qeverisë, bëhet politikë e fiton vota.
Por kështu ndodh kur në krye të partisë kanë një njeri që i përdor për hall të tij, ndërsa si drejtues iu ka lënë një njeri si Flamur Noka, që veç të mendojë nuk di. Të heshtë jo e jo.