Rikthimi i Doktorit në Kuvend e ka zhgënjyer shumë Mulin.
Një ditë para se Doktori të vinte në Kuvend, të gjithë deputetët e grupit parlamentar rrinin si pula para tij dhe i serviloseshin.
Nuk mungonin shprehje servilizmi të hapura të tipit:
“Mirë që të kemi ty, Doktor, se PD do kishte marrë fund”, apo “Si do ishte PD pa ty”.
Tani, sapo Doktori erdhi në Kuvend, plasën deklaratat.
Njëri thotë: “Na kishin hequr lojtarin kryesor”, tjetri: “Na u kthye trajneri”, një tjetër: “Ishim si një trup pa kokë”, e kështu me radhë.
-Po ku paskan qenë këta deri dje, i tha Muli, Lelos?
Unë e di që nuk krahasohem me Doktorin, por këta bëjnë sikur unë nuk ekzistoja fare deri dje.
-U ra bombë kjo ardhja e Doktorit, tha Lelo. Nuk kanë faj.
Gaz Bardhi, për shembull, ka një vit që mundohet.
U afrua me Damianin, na dha vulën dhe logon, u rikthye me Doktorin vetëm që të ishte në grup parlamentar kryetar.
Tani u kthye ai dhe i iku gjithë investimi dëm.
Tani është si Ina Zhupa.
Duhet të bërtasë më shumë se ajo që të bjerë në sy.
Dhe këta të tjerët po ashtu.
-E kuptoj, tha Muli, por nuk më kishte shkuar mendja që mua të mos më llogarisnin fare, sikur të mos ekzistoj.
Këta mendojnë se u kthye Doktori dhe s’kanë më punë me mua.
Po Doktori nuk bën asnjë hap pa më pyetur mua!
-E di, e di, tha Lelo, por ata e dinë që ti nuk ia prish Doktorit.
Ndaj marrin me të mirë Doktorin.
Kurse ty mund të ta kthejë llafin Doktori për ndonjë.
Ndaj duan të jenë të sigurt për listë.
-Po të jetë vetëm kjo, ua bëj hallall, tha Muli.
Por kam frikë mos u duket vetja më të zgjuar se unë.