Report TV ka zbardhur emrin e porositësit të makinave Toyota Auris në të cilat u sekuestruan 3. 4 milionë euro.
Sipas dokumenteve doganore që Report TV ka siguruar, rezulton se porositësi në Tiranë i 7 makinave, në dy prej të cilave u gjetën edhe eurot, është Alban Mollaymeri.
Ndryshe nga sa u pretendua dje, se makinat ishin porositur nga një biznesmen kosovar, rezulton se ato janë të porositura nga Alban Mollaymeri, pronari i një servisi makinash modest në zonën e bregut të lumit në Tiranë.
Gjithashtu, mësohet se origjina e makinave ka qenë Gjermania, dhe jo Belgjika.
Makinat janë blerë në Gjermani në një koncesionar që administrohet nga një shtetas shqiptar.
Nga dokumentet, rezulton një biznes me një xhiro vjetore 100 mijë euro.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Report TV, mjetet janë shitur nga koncesionari DOCI GMBH në Gjermani, në pronësi të Ilir Doçit.
Nga dokumentet rezulton se porositës është Alban Mollaymeri, një pronar servisi, dhe për t’i transportuar ka kontaktuar Edi Likën, i cili gjithashtu ka një servis makinash dhe një kompani transporti.
Ndërkaq, dy makinat e tjera, një Opel dhe një Alfa Romeo që ishin mbi kamion bisarlk bashkë me 7 Toyotat, janë porositur prapë në koncensionarin Doçi, por nga dy individë të tjerë që nuk dyshohet të kenë lidhje me trafikun e parave, me orgjinë nga trafiku i drogës.
Alban Mollaymeri, që rezulton porositësi i makinave të ngarkuara me para, sipas dokumenteve të siguruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka hapur një licencë rishtazi, e cila mban datën 10/10/2017, por pa dhënë detaje apo specifikuar nëse kompani ka si objekt aktiviteti edhe importimin e makinave.
Por edhe pse Alban Mollaymeri rezulton pritësi i makinave, sërish ngrihen dyshime nëse është ai destinacioni final i 3. 4 milionë eurove apo persona të tjera fshihen pas tyre.
SHISH i tregoi Bashës për operacionin
Një burim pranë grupit hetimor tha për Report TV se operacioni për sekuestrimin e 3.4 milionë euro në automjetet e mbërritura nga Gjermania në Portin e Durrësit, është dekonspiruar nga një punonjësi i SHISH i cili ka vënë në dijeni kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Pas këtij informacioni të marrë nga agjenti, Basha foli në parlament dhe akuzoi Taulant Ballën se kishte porositur ai automjetin bashkë me sasinë e parave nga Gjermania.
“SHISH i tregoi Lulzim Bashës për operacionin. Ka qenë një agjent i SHISH i cili i ka kaluar informacionin kryetarit të PD, Lulzim Basha”, ka thënë i njëjti burim për Report TV.
Pas marrjes deklaratës së Bashës në Kuvend, dy porositësit e automjeteve, Alfred dhe Elvis Vladi u larguan. Basha dhe punonjësi i SHISH mund të vihen nën hetim për dekonspirimin e operacionit.