Gjithmonë e më shumë, banorët e Barcelonës kanë nisur t’i shohin turistët dhe jo emigrantët si kërcënim për qytetin e tyre.
“Nuk do të na largoni dot që këtu apo turistë. Udhëtimi juaj luksoz ma nxiu ditën”, janë vetëm disa prej shkrimeve në muret e qytetit katalanas. Ajo që mediat spanjolle e quajnë “ turizmofobi“ mbërtheu verën e kaluar disa qendra europiane si Roma, Amsterdami, Venecia, Berlini, Lisbona apo Palma de Majorka.
Por ndryshe nga të tjerët, me të njëjtën këmbëngulje që refuzon turistët, Barcelona pranon nga ana tjetër emigrantët. Kur doli përpara disa ditësh lajmi i anijes me mbi 600 emigrantë në bord, që mbeti në ujërat e Mesdheut pas refuzimit të Italisë për ta pranuar, kryetarja e bashkisë së Barcelonës, Ada Colau u tregua e gatshme t’i ofronte një parajsë të sigurt qëndrimi.
Po si shpjegohet që përpara miliona turistëve, të cilët shpenzuan vitin e kaluar gati 30 miliardë dollarë në këtë qytet, preferohen mijëra refugjatë pa një kacidhe në xhep? Përgjigja është se qytetarët atje i shohin vizitorët si kërcënim për identitetin e Barcelonës dhe jo emigrantët, megjithëse numri i tyre është shtuar ndjeshëm vitet e fundit. Çështja është se turistët me vërshimin e tyre kapërcejnë ndjeshëm numrin e vendasve; ata pushtojnë hapësirat publike, ndërsa kërkesat e mëdha për ambiente me qira i kanë nxjerrë rezidentët nga lagjet e tyre. Emigrantët nga ana tjetër janë integruar mirë dhe përpiqen shumë që të përshtaten me ambientin, madje fëmijët e tyre kërkojnë që të identifikohen si vendas.