Muli sot përjetoi një siklet të paparë.
Një ish-drejtuese e OSBE-së nga Suedia kishte ardhur me ftesë të Albanës në një takim të Lidhjes Demokratike të Gruas.
Vetë Albana nuk ishte, pasi kishte harruar që e kishte ftuar zonjën, dhe kishte shkuar në Kamboxhia.
U bë problem se kush do ta priste.
Albana nuk ka as zëvendëse, as kryesi.
Kanë kaluar 14 vjet që ajo është kryetare e gruas dhe nuk bën zgjedhje.
Ju lut Mulit të shkonte dikush tjetër nga gratë, por nuk pranuan.
-Vetëm ti dhe Gazi, i tha Albana. Asnjë grua. Në vendin tim flet Gazi.
-As unë, as Gazi nuk dimë anglisht, tha Muli.
-Ashtu? S’ka problem. Partinë e përfaqëson ti, LDG-në e përfaqëson Gazi, për përkthyes vjen Mediu.
S’ka ndonjë punë ai, vetëm të flasë anglisht duhet.
Ashtu u bë.
Zonja Margareta Cederfeldt po priste e emocionuar kryetaren e LDG-së, kur papritur ju shfaqën përballë tre burra.
Gazi iu afrua, i dha dorën dhe i tha se ka nderin ta presë në emër të Lidhjes Demokratike të Gruas.
Mediu e përktheu me shpejtësi, duke theksuar se Gazi ishte në mungesë të kryetares, pasi ajo kishte shkuar në Kamboxhia.
-Do vija dhe unë, – tha Mediu, – po më doli një punë.
Duhet të shkoj në SHBA, pasi një shok imi kongresmen mund të marrë një post nga Trumpi dhe duhet të jem aty.
Zonja u hutua shumë.
Kamboxhia, kongresmeni, Trumpi… ndërkohë në vend të kryetares së grave ishte një burrë. Ktheu sytë nga Muli.
-Unë jam në vend të Doktorit, – i tha Muli.
Ky është në vend të Albanës. Fatmirin e kemi në vend të Trumpit.
-Qartë, qartë, – tha zonja Margareta.
-Ishte shumë emocionuese e gjithë kjo, të takohesha me zotin Noka, Bardhi… edhe zotin Mediu, që gjetën kohë të vinin ditë të shtunë dhe të flisnin këtu për përfshirjen dhe rolin e grave, – tha ajo.
-Jemi shumë të vendosur ta forcojmë rolin e grave në PD, tha Muli.
Do ta çojmë përfaqësimin 50 për qind.
-Kjo është një mrekulli! – tha zonja Margareta.
Keni ndonjë arsye që e mbështesni këtë kuotë kaq të lartë?
-Kemi, tha Muli. Zakonisht na ndodh që gjysma e grupit, pra 50 për qind, na dalin gjithmonë idiotë, budallenj.
Që të mos rrezikojmë kot, më mirë po i caktojmë gra.