Detaje të reja janë zbardhur nga superoperacioni i policisë i një dite më parë, ku u bllokua sasia rekord e mbi 4 milionë eurove në Portin e Durrësit.
Report Tv mësoi dje se veprimet e para lidhur me këtë dosje i ka kryer prokurori pranë Prokurorisë së Durrësit, Sokol Nishani, vëllai i ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i zgjedhur nga radhët e PD.
Ndërkohë, sot mësohet se çështja ka kaluar në duart e Ornela Rrumbullaku, e cila është përgjegjëse e strukturës së Task Forcës në Durrës. Prokurori Nishani ka qenë prokurori i gatshëm për të kryer veprimet e para për çështjen, meqenëse dje ka qenë ditë pushimi, ndërsa sot është vendosur që dosja të hetohet nga grupi i Task Forcës.
Është pikërisht kjo Task Forcë, që do të hetojë këtë dosje të nxehtë, e cila u dekonspirua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tri ditë më parë në Kuvend. Ndërkohë, vijon numërimi i eurove të bllokuara, ku deri më tani janë numëruar rreth 4 milionë euro.
Paratë u bllokuan ditën e djeshme në Portin e Durrësit, ndërsa ishin të fshehura në dy makina ‘Toyota Yaris’. Dy makinat ishin të ngarkuara në një kamion së bashku me 7 makina të tjera. (Në total 9 makina 7 Toyota Yaris, një Opel dhe një Alfa Romeo).
Makinat janë bllokuar në orën 15:00, sapo kanë zbritur nga trageti që vinte nga Bari, ndërsa janë arrestuar 3 persona, dy shoferët dhe administratori i komapnisë që transportoi makinat. Shoferët janë Klevi Cani 21 –vjeç dhe Agim Ceka 61-vjeç, ndërsa administratori është Edi Lika. Ndërkohë mister mbetet njeriu që porositi makinat, por vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe personave të përfshirë.