“Ecni pranë shtëpisë së ish-diktatorit komunist Enver Hoxha në qendër të Tiranës dhe mund të mos e mos e njihni. Nuk ka asnjë shenjë për të shënuar rëndësinë e saj historike. Rezidenca dykatëshe po rimodelohet.
Gjendja aktuale e rezidencës së Hoxhës përmbledh atë çfarë ndjejnë shumë shqiptarë për vitet e komunizmit. Duke pësuar një traumë kolektive të mizorisë, shumë do të preferonin të harronin se ai ka ekzistuar ndonjëherë”, kështu e nis artikullin për të shkuarën dhe të tashmen e Shqipërisë media prestigjioze CNN.
Më tej, në shkrimin e CNN theksohet se gjatë sundimit komunist, Hoxha mbylli kufijtë e Shqipërisë dhe brutaliteti i stilit Stalinist i dhanë Shqipërisë pesudonimin “Koreja e Veriut e Europës”.
Në fokus i veçantë i kushtohet trashëgimisë që sundimi komunist i la Shqipërisë – deri në 221,143 bunkerë dhe objekte ushtarake, të cilat për dekada kanë shpërbyer si kujtime të ditëve të errëta.
Mirëpo, CNN thotë se tanimë, Shqipëria po përjeton një rilindje turistike, e mbështetur nga sipërmarrës dhe emigrantë të kthyer që po i japin një jetë të dytë strukturave ushtarake komuniste që dikur përdoreshin për të vendosur armët e luftës.
“Për të rikthyer traditat e vjedhura dikur prej tyre, shqiptarët tani po ripërdorin bunkerët dhe ish-kazermat ushtarake si restorante që shërbejnë ushqim dhe verë tradicionale, ambiente interesante unike për bujtina, muzetë e artit dhe historisë, madje edhe studio tatuazhesh.
Ndërkohë që Shqipëria ende po mbledh pjesët nga pasojat e saj të epokës komuniste, disa janë të vendosur të rimarrin kontrollin e narrativës dhe të mos lejojnë që e kaluara e errët e vendit të tyre t’i përcaktojë ato”, shkruan CNN.
Në artikull përshkruhet edhe bunkeri ushtarak i epokës së Hoxhës, i kthyer tanimë në një muze në qendër të Tiranës.
“Pak hapa larg xhamisë së Et’hem Beut të epokës osmane në sheshin Skënderbej të Tiranës është një tjetër bunker ushtarak i epokës së Hoxhës. Bunk’Art 2 është muzeu më i rëndësishëm i vendit që dëshmon mizoritë e kryera nën sundimin komunist në Shqipëri.”
Më tej, CNN nuk lë pa përmenduar dhe vendlindjen e diktatorit Enver Hoxha, Gjirokastrën dhe atë që ka mbetur nga kujtimi i tij në qytetin e gurtë.
“Qyteti i Gjirokastrës në Shqipërinë e Jugut ka lidhjen e tij me trashëgiminë e Hoxhës, duke qenë vendlindja e diktatorit. Sot, ndërtesa ku ai lindi njihet zyrtarisht si “Muzeu Etnografik i Gjirokastrës”. Vetëm një pllakë mermeri e vetme në dyshemenë e një dhome përkujton ardhjen e Hoxhës në botë më 16 Tetor 1908.”