Mëngjesin e sotëm ka përfunduar edhe numërimi i Eurove të bllokuara mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit në 2 makina Toyota Yaris. Nga grupi i hetimit rezultojnë të jenë 3 mln e 470 mijë euro të cilat nuk rezultojnë false. Po ashtu hetuesit thonë se paratë u gjetën në katër thasë të vegjël në 2 mjetet të cilat vinin nga Belgjika dhe se po hetohet gjithashtu për të gjetur porositësin dhe personat që i dërguan.
Paratë ishin ndarë në katër thasë gjithsej dhe gjendeshin të shpërndarë në dy prej makinave “Toyota”. Dy makinat ishin të ngarkuara në një kamion së bashku me 7 makina të tjera.
(Në total 9 makina, 7 prej të cilave ‘Toyota’, një ‘Opel’ dhe një ‘Alfa Romeo’). Makinat së bashku me kamionin që i transportonte janë bllokuar në orën 15:00 në Portin e Durrësit, ndërsa ato kishin zbarkuar aty me tragetin e linjës Ankona-Durrës, në orën 10:00 të paradites së djeshme.
Policia në bashkëpunim me Krimet e Rënda kryen sekuestrimin e parave dhe mjeteve që ndodheshin në trajlerin me targa AA 120 SP, i cili gjithashtu u sekuestrua për llogari të hetimeve. Sakaq, Policia dhe Prokuroria për Krimet e Rënda nisën edhe hetime intensive për zbulimin e personave apo grupit kriminal që po transportonte në mënyrë të paligjshme sasinë rekord të parave.
Nga hetimet fillestare janë identifikuar 4 persona të përfshirë, ndërsa tre prej të cilëve janë shoqëruar dhe ndodhen të ndaluar në Polici, ku dy prej tyre janë shoferët e kamionit që solli makinat ku u gjetën eurot. Klevis Lika është pronari i kamionit me targë AA 120 SP – AFR 559, ndërsa babai i tij, Edi Lika, është pronari i kompanisë së transportit të automjeteve. Pak pas verifikimit të pranisë së një shume të madhe parash në dy makinat “Toyota”, Policia ka ushtruar kontroll dhe në banesën e pronarit të firmës që ka bërë transportin e makinave për në Shqipëri, por nuk është gjetur asnjë gjë e dyshimtë. Ndërkohë, operacioni për zbulimin e parave është realizuar nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me palën italiane.