Flet ish-ushtaraku i lartë, Ilirian Balilaj: Ish-fshati industrial alpin i sistemit të shkuar, ishte një perlë ku njerëzit jetonin, stërviteshin dhe kuroheshin. Braktisja e saj sot përbën një krim jo vetëm njerëzor, por edhe ekonomik
Një perlë e natyrës shqiptare e cila, që nga koha e Skënderbeut, mbahet mend si teatër i luftërave për liri, por që sot është braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit. Kështu cilësohet Biza e Martaneshit, nga ish-ushtaraku i lartë, Ilirian Balilaj, që e njeh nga afër këtë zonë, në një rrëfim të posaçëm rreth saj për “Albanian Free Press”.“Në Bizë, brenda zemrës së një mali, në një tunel të madh, ishte ndërtuar edhe një spital bashkëkohor i madh ushtarak, që thoshin se barazohej me Ushtarakun e Tiranës dhe atë të luftës në Tufinë”, – tregon ai.
Duke shtuar edhe se, “më tej, në Ballenjë, ishte ndërtuar një hotel i madh kurativ për të sëmurët e mushkërive, që e thërrisnin hoteli i Ministrit dhe që pëshpëritej se ishte i Beqir Ballukut”. Në fund, ai lëshon apelin se, zona të tilla si Biza e Martaneshit, Qafë Shtama ose Lura, duhen ruajtur si resurse natyrore, pasi ato kanë vlera të patjetërsueshme. “Ato dikur ishin një botë më vete, një bukuri më vete, pasuri më vete. Kurse sot, janë rrjepur, janë zhveshur, lumenjtë po na marrin tokën e bukës, ujërat na përmbysin çdo dimër”, – pohon Vladi…
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi
Para tridhjetë vitesh, Biza e Martaneshit ishte një perlë e gjallë, jo vetëm me natyrën, por edhe me njerëzit, me jetën dhe me punët e mëdha që bëheshin atje, dimër e verë. Po sot? Ju si ish-ushtarak keni pasur njohje dhe lëvizje të vazhdueshme drejt Bizës, keni shkuar kohët e fundit?
E gjeta para ca kohësh të heshtur, të zbrazur dhe të zhveshur, ku kullosnin pak bagëti të imëta, disa lopë laramane të fshatrave përreth, pa pemë, pa rrugë dhe pa njerëz. Tek-tuk, ndonjë bar i veshur allafrënga, ose ndonjë frymë tjetër e gjallë që jetonte në heshtjen e vet. Një skodë e zezë skrop nga ndryshku e nga myshku, nga ndotja dhe nga ngarkesa, një skodë e vjetër nga ato të dikurshmet të tipit saurel, e ngarkuar me drurë po afrohej drejt nesh sa zbret kodrat e Kroit të Kuq për të shkuar në Bizë të Martaneshit.
Lëshonte një zhurmë që ngjante me fluturimin e një barake llamarine, që e rrëmben era dhe e përplas tej në humbëtirë. Kështu m’u duk mua, apo të paktën kështu e përftova atë zhurmë. Krakëllima e saj herë dëgjohej e herë humbiste mes zhavorrit e ujit dhe pastaj gulçonte në të përpjetën drejt nesh. Shoferi, pasi lëshoi një dy borie të forta si për të na zgjuar, përshëndeti me grusht si dikur, një zakon i vjetër ky, e unë, pasi i kthej përgjigjen ftohtë, ul kokën, mbyll sytë dhe në retrospektivë kaloj gjithë Bizën e gjallë të dikurshme, me jetë, njerëz, punë, borë e gjelbërim sipas stinëve. Dhe ligshtohem nga ajo zbrazsirë që gjeta, nga ajo braktisje e madhe, nga ajo zhveshje…
Pse, si cila ishte Biza dikur?
Është bërë zakon që krahasimet mes të shkuarës dhe të sotmes të bëhen për të treguar ecuri, zhvillim, por në rastin konkret, krahasimin midis dy kohëve do ta bëj për të treguar degradimin në të cilin ka rënë Biza e dikurshme e Martaneshit, plot jetë, plot njerëz, plot punë. Biza e Martaneshit, nga pikëpamja fiziko-gjeografike e historike, është një gropë ndër malore rreth 2.5 km e gjatë e 2 km e gjerë në lindje të rrethit të Tiranës, në lartësinë 1200 metra. Në veri dhe në lindje kufizohet me malësitë e Martaneshit, në jug me ato të Çermenikës dhe në perëndim me Malin me Gropa. Baza e saj përbën fushën ose pllajën e Bizës dhe vende-vende përshkohet nga kodra të vogla. Klima është malore e ashpër në dimër ku më e ulëta absolute shkon -30 gradë, vera e freskët e me 14 gradë celsius, me një sasi reshjesh vjetore 1900 milimetra.
Por Biza është edhe teatri i luftërave për liri, që nga kohët e mesjetës së Skënderbeut dhe deri në ato moderne të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Biza është edhe ndër perlat e natyrës shqiptare, ish-fshati industrial alpin i sistemit të shkuar ku njerëzit jetonin, punonin, stërviteshin, kuroheshin dhe argëtoheshin. Më vonë, ajo u bë një qendër e madhe stërvitore për stërvitjen dimërore të zbuluesve, një rezervat i madh i lëndës drusore, një qendër e banuar ose qendër punëtorësh ose NFP (Ndërmarrje e Furnizimit të Punëtorëve), si edhe një institut i madh i eksperimentimit të patates, një hambar i madh i saj, por në të njëjtën kohë edhe një qendër kurative malore dhe një vend vizitash e kampesh verore për fëmijët. Atje ishte ngritur një fshat malor turistik me apartamente banimi si një qytezë, një fshat alpin, që ishte në të njëjtën kohë edhe një qendër e garave me ski e lojëra të tjera dimërore.
A stërviteshin trupat e ushtrisë aty?
Veç të tjerëve, atje stërviteshin në dimër repartet e zbulimit dhe Instituti i Lartë i Kulturës Fizike. Biza e Martaneshit ishte një pikë kalimi për të shkuar në të pesë rrethet që e rrethojnë. Rruga drejt saj kalonte nga Mali me Gropa, nga Krasta, nga Tërnova, nga Ballenja, nga Gurakuqi, nga Zdrajshi, nga Orenja, nga Kostenja, e nëpërmjet tyre transportohej lënda drusore gjithandej. Pyjet e asaj zone, shumë masive, shtriheshin në Martanesh, në Kaptinë, në Grykë Val, në malin e Shënoit, në Prevall, në Prodan dhe përreth gjithë Bizës, të gjitha këto, zona të banuara.
Biza qëndronte mbi ta si një nënë e mirë, ajo ishte si një dhuratë prej Zotit dhe u shpinte me bujari jetën: ujin, drurin, barin,bulmetin, mineralin, pataten, etj. Kur ngjiteshim në Malin e Shënoit, që ngrihet në pjesën veriore të Bizës e që maja e tij ngjante me nordin e busullës, ne, me mjete optike, por edhe me sy, në mëngjes a pas shiut kur dilte dielli, shikonim të pesë rrethet që e qarkonin, madje deri edhe Durrësin.
Atje jetonin rreth pesëmbëdhjetë familje, në një qytezë që kishte një rrjet të gjerë tregtie, shkollë fillore me tridhjetë-dyzetë nxënës, kopsht, çerdhe, spital me mjek të përgjithshëm, dentist, mami, infermier, një sharrë e madhe që përpunonte lëndën drusore, një fermë e madhe lopësh për qumësht e mish. Por edhe një laborator sinoptik i Tiranës, që bënte matjet e kohës, të reshjeve e sidomos të borës, teksa të dhënat përcilleshin në Tiranë tre herë në ditë.
Flitet se aty ishte ndërtuar edhe një spital i fshehtë ushtarak, si dhe një hotel për Beqir Ballukun?
Po, në Bizë, brenda zemrës së një mali, në një përrua ku duhej të shkoje i shoqëruar që ta gjeje, në një tunel të madh, ishte ndërtuar një spital bashkëkohor i madh ushtarak, që thoshin se barazohej me Ushtarakun e Tiranës dhe atë të luftës në Tufinë, e që sot, më thanë, është katandisur në një strehë verore dhish, i mbuluar nga plehu. Atje ishte edhe një punishte e madhe bulmeti, që funksiononte dimër-verë, ngaqë kishte shumë lopë. Biza notonte në ujërat e kristalta, që rridhnin e buronin dimër verë, të akullt e të shëndetshëm, të cilat pasi përshkonin pllajën, vinin e mblidheshin në Grykë Val dhe humbisnin në një shpellë, e cila pasi i gllabëronte, i nxirrte poshtë në Klos të Burrelit.
Më tej, në Ballenjë, ishte ndërtuar një hotel i madh kurativ për të sëmurët e mushkërive, e që e thërrisnin Hoteli i Ministrit, e që pëshpëritej se ishte i Beqir Ballukut, por që nuk e kishim parë të rrinte as ai dhe as ndonjë ministër tjetër.
Biza ishte bërë burim jete. Mbaj mend se kur shkonim nga Tirana në dimër dhe shumë prej nesh ishin të përfshirë nga ndonjë epidemi gripi, pas një jave ai problem mbyllej, nuk kishte më ushtarë dhe kuadro që të kolliteshin, e këtë nuk e dëgjonim as tek banorët e zonës. Ajo ishte një zonë me ajër të pastër të pyjeve me pisha, aheve, lisave, aty jetohej mrekullisht, vetëm se ishte pak e shkëputur nga jeta urbane, por që nga shteti i kohës i ishin krijuar mundësitë, qoftë të furnizimit, qoftë edhe të urgjencave.
Atje vinte për çdo dimër nga tre e katër herë helikopteri për çdo të papritur. Drurë kishte edhe për zjarr, edhe për industri. Era e bukës së grurit të pjekur atje ndjehej dhjetë kilometra larg, një bukë e një gruri të ri, pak e zezë, me shumë shije, që mund ta haje me plot kënaqësi edhe thatë. Fëmijët ishin gjithë jetë dhe u pëlcisnin faqet e kuqe nga shëndeti. Në qendër ishte edhe një hotel i madh me shtretër për kalimtarët, por edhe për punëtorët, e poshtë tij në katin e pare, edhe një klub e restorant që rrinte për çdo natë i përmbushur e me sobën e madhe të ndezur, ku skuqte llamarina e saj. Jeta ishte e mbushur plot alegri, plot shëndet, por edhe plot mirësi.
Në sistemin komunist, a mund të lëvizje lirshëm për në Bizë?
Rruga për në Bizë bllokohej nga mesi i dhjetorit e deri në fund të marsit e njerëzit, nëse duhej të zbrisnin në qytet, shkonin në këmbë gjer në Shëngjergj e Shënmëri. Po kështu bënin edhe për në Bulqizë, në Librazhd dhe Batër të Burrelit. Në rrugën Tiranë-Shëngjergj në pranverë, verë e vjeshtë punonte një postë ose korrier i thoshin, një makinë e mbuluar që merrte shumë-shumë njëzetë vetë dhe që të lëvizje me të, duhej të merrje në Bizë një autorizim nga kryetari i këshillit. Nëse nuk e kishe këtë, duhej t’i mbathje mirë opingat e t’ia shtrije në këmbë gjer në Tiranë, duke i rënë për shkurt Bizë-Shëngjergj-Qafë Priskë e Tiranë dhe ardhje. Në Bizë ishte edhe një restorant i vogël, i mirë si dhe një mensë punëtorësh të punësuar në lëndën drusore e që nuk kishin banim aty. Ai restorant mbahej në këmbë nga një kuzhinier gurakuqas, hokatari dhe gjahtari i sprovuar, por edhe qejfliu i rakisë, Mexhit Troka, që këndonte bukur, që kishte shtatë goca e bënte plan të kishte edhe të tjerë fëmijë gjersa të lindte një djalë, e që në fund e arriti edhe atë.
Përgjegjës i rrjetit të tregtisë ishte Qemali dhe kryetar i këshillit Musto, përgjegjës i NFP, një martaneshas, një djalë i mrekullueshëm që pati një fund tragjik nga moti i keq. Gjysma e banorëve të fshatit turistik Bizë kishte mbiemrin Balla dhe Bala, si ata nga Shëngjergji, edhe ata nga Gurakuqi. I paharruar do të mbetet edhe roja i natës i Bizës, Rexhep Domi, një burrë rreth dy metra i gjatë nga Shëngjergji, që rrinte gjithë natën jashtë në borë duke lëvizur dhe duke lajmëruar banorët për rreziqet që paraqiste moti.
Në krah mbante maliherin e tij të luftës me fishekun në gojë e një ballë në xhep, që kishte një palë mustaqe kreshniku, i veshur me një xhup të trashë ushtarak dhe një kokore leshi po ushtarake, që ia kishim dhënë ne të ushtrisë e që na bënte mjete emergjence për marshimet, një vegël që ishte kazmë e sëpatë njëkohësisht, për gërryerje e për prerje, e që secili nga ne e mbante të pandarë nga pajimet e tjera të luftës. Ai na porosiste, që kur të marshonim në borë, të mos pushonim gjatë asnjëherë, se vdisnim ëmbël-ëmbël e pa kuptuar, se nuk duhej të pinim ujë kur pushonim por vetëm kur niseshin ose kur ishim në ecje, se duhej të mbanim me vete një tufë të thatë halash pishe e mjete ndezëse si masat e eshkë, sepse vetëm eshka ishte e sigurt në ndezje, e plot porosi të tjera që na jepte ai plak i mirë.
Ai ishte një arsenal dijesh e përvojash. Xha Rexhepi i mirë, kur fliste, fuste shumë filozofi popullore në biseda, sillte shumë fjalë të urta, thënie njerëzish të shquar të krahinës, ishte epik në llojin e vet dhe me të ta kishte ënda të bisedoje. Me atë prakticizmin e tij, ishte një minierë dijesh. Ne, nga që shkonim për çdo dimër atje, ishim njohur, ishim miqësuar sa s’kishte më, i flisnim njëri-tjetrit në emër e dukeshim sikur ishim të gjithë nga i njëjti fshat. Në Bizë ishte një përzierje njerëzish nga disa zona si Tirana, Librazhdi, Dibra, Elbasani, Bureli që kishin krijuar një komunitet kompakt.
Pjesa më e vështirë në Bizë ishte dita e punës, të gjithë në punë e të gjithë në stërvitje. Ndërsa pjesa më e bukur ishte pasditja dhe mbrëmjet për ata që ngeleshin, sepse ne shkonim në marshime e stërvitje natën. Xha Rexhepi në ruajtje, sinoptikanët tek aparaturat, furrtarët tek furrat e bukës që punonin natën, sharrëxhinjtë dhe gjysma e banorëve atje ishte zgjuar. Të tjerët ishin në gjumin e natës. Kurse mëngjesi, qytezën e gjente zgjuar që në orën katër, secili në frontin e vet, sepse aty, po të mos punohej, vdisje në vend thoshte xha Rexhepi. “Duhet lëvizur, – thoshte xha Rexhepi, – duhet ushqyer muskuli i zemrës”.
Sipas tij, popujt edhe kanë lëvizur, edhe lëvizin ende. I kanë braktisur vendbanimet kur janë bërë luftëra, kur kanë rënë epidemi, tërmete, kur kanë ndodhur shembje apo rrëshqitje. Po në Bizë që e gjeta të zbrazur, të zhveshur, çfarë kishte ndodhur? Kur them se ishte zbrazur Biza e Martaneshit, nuk dua të them se ai fshat duhet jetuar akoma, por të braktisësh jetën atje, është një ndër shumë krime që bëjmë sot. Të braktisësh çdo gjë të mirë që ka ajo pikë turistike sot është një ngathtësi, një mediokritet, një paaftësi drejtimi dhe menaxhimi.
Por ky është edhe një krim që i bëhet ekonomisë së këtij vendi. Pasi atje ka vlera, atje ka pasuri, atje ka pará, atje ka gjithçka të mirë. Në këtë pikë e kam edhe mërzitjen që shpreh. Brezi që po shkon ka parë, por edhe ka drejtuar nga pak. Dhe nuk i ka lënë vlerat t’i marrë lumi sikurse po i merr, pyjet i kemi vlerësuar e shfrytëzuar, por edhe i kemi përtërirë, rrugët aq sa ishin dhe atje ku ishin i kemi mirëmbajtur, me lopatë e kazmë, por i kemi ruajtur dhe nuk na kanë shkarë malet e të zënë rrugët. Lurën e Bizën, Qafështamën, i kemi ruajtur si një resurs natyror, si një perlë turistike. Ato dikur ishin një botë më vete, një bukuri më vete, një pasuri më vete. Kurse sot janë rrjepur, janë zhveshur, lumenjtë po na marrin tokën e bukës, ujërat na përmbysin çdo dimër. Kësaj pune dikur i kanë thënë: korr e mos lidh…