Një makinë e vjedh u r n ë Ti ra n ë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka udhëtuar drejt Bulqizës, ku hajdutët janë ndjekur nga policia dhe gjatë ndjekjes tamam si nëpër filma, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Dy hajdutë që sapo kishin vjedhur një “Benz” në Tiranë rrezikuan jetën e efektivave të policisë së Dibrës, të cilët kishin ngritur postbllok për t’i ndaluar. Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se rreth orës 07.42, policia e Dibrës, ka marrë informacion se një automjet i vjedhur në Tiranë po lëvizte në drejtim të Bulqizës. Pas marrjes së informacionit i ardhur nga kryeqyteti, menjëherë është organizuar puna ku shërbime të policisë kanë ngritur një pikë kontrolli në Qafën e Buallit me qëllim ndalimin e automjetit. Automjeti i vjedhur i identifikuar nga policia në mënyrë rekord, pas denoncimit nga pronari i tij po afrohej drejt qytetit të Bulqizës. Në momentin që është afruar makina tip Benz me targa AA 186 EE, nga shërbimet e policisë i është bërë shenjë ndalimi, por automjeti nuk është bindur, madje ka vazhduar rrugën duke u larguar me shpejtësi duke u përplasur dhe me një automjet të policisë. Sipas policisë së shtetit, ky veprim ka rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë që kishin ngritur pikën e kontrollit në vendin e ngjarjes. Në këto kushte efektivat e rendit kanë qëlluar në ajër me qëllim që automjeti të ndalej. Dy hajdutët nuk ndaluan pavarësisht të shtënave por shtuan shpejtësinë në drejtim të Bulqizës. Por në hyrje të Bulqizës, autorët e krimit pasi kishin lënë prapa uniformat blu, kanë braktisën makinën dhe janë larguar në këmbë duke humbur gjurmët. Policia ka nisur një tjetër operacion për kapjen e autorëve të ngjarjes ndërsa në ndjekje të tyre janë nisur dhjetëra efektiva të policisë lokale që po krehin zonën. Burime policore thonë se dyshohet se dy autorët janë larguar në këmbë në drejtim të Dibrës. Dyshohet se dy autorët e vjedhjes së automjetit në kryeqytet janë nga kjo zonë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Policia
Ka qenë policia e Bulqizës e cila menjëherë pas ngjarjes ka dhënë detaje mbi ngjarjen. Sipas policisë dy hajdutët nuk i kanë ndaluar patrullës duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, ku të gjendur në këtë situatë kanë qëlluar në ajër. Policia thotë se pak pasi dy hajdutët kaluan postbllokun, në hyrje të qytetit të Bulqizës, kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në drejtim të paditur. “Me datë 23.06.2018, rreth orës 07.42, policia e Dibrës, ka marrë informacion se në Tiranë një automjet është vjedhur dhe po lëviz në drejtim të Bulqizës. Menjëherë është organizuar puna ku shërbime të policisë kanë ngritur një pikë kontrolli në Qafën e Buallit me qëllim ndaljen e këtij automjeti. Në momentin që është afruar makina tip “Benz” me targa AA 186 EE, nga shërbimet e policisë i është bërë shenjë ndalimi, por automjeti është larguar me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë. Ndodhur në këto kushte Policia ka qëlluar në ajër me qëllim që automjeti të ndalej. Shërbimet e policisë kanë vijuar ndjekjen e automjetit ku në hyrje të qytetit të Bulqizës, dy persona ende të paidentifikuar kanë braktisur automjetin duke u larguar me shpejtësi në këmbë. Policia e Bulqizës vijon krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e personave si dhe vijojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje”, sqaroi zyrtarisht policia e Bulqizës për ngjarjen e mesditës së djeshme./Elvis MYRTA