Rritet ankthi në radhët e ministrave, zëvendësministrave dhe drejtorëve. Kryeministri Edi Rama brenda pak ditësh do t’i japë fund turit të llogaridhënies dhe në bazë të rezultateve do të vendoset e ardhmja e shumë zyrtarëve. Në portalin e bashkëqeverisjes “shqipëriaqëduam” janë mbi 12 mijë ankesa nga qytetarët dhe bilanci përfundimtar do të prezantohet përmes një ceremonie speciale. Pritet që gjatë muajit korrik të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, ku do të flitet me emra konkretë, si për takimet e zhvilluara, ashtu edhe për ankesat e qytetarëve, të bërë këto adresë të portalit. Gazeta ka mësuar se shefi i qeverisë kohët e fundit ja u ka të qartë ministrave se ndryshime në kabinetin qeveritar janë të pashmangshme pas 28 qershorit. Ditët e fundit janë dhënë sinjale nga shtete skeptike si Holanda se nuk do të ketë hapje të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Dhe kjo ka shtuar se tepërmi ankthin tek ministrat, ku me shumë gjasa pritet që të ketë disa ndryshime. Mirëpo, nuk ndalet me kaq, pasi gazeta ka mësuar të tjera detaje nga ajo se çfarë pritet të ndodhë këto ditë dhe që do të kulmojnë gjatë Asamblesë Kombëtare dhe pas saj.
Fazat e ndryshimeve në qeveri
Ndryshimet në qeveri pritet të shoqërohen me dy faza. E para është faza pas vendimit për negociatat. Më 28 qershor Këshilli i BE do vendosë nëse do ketë hapje negociatash dhe në varësi të vendimit varet dhe e ardhmja e qeverisë. Shqipëria pritet të marrë hapje negociatash me kusht dhe kjo do sjellë ndryshime në kabinet me qëllim përmbushjen e kushteve. Faza e dytë do jetë ajo e shtatorit, e cila do sjellë rifreskim total në kabinetin qeveritar. Burime të gazetës thanë se ta parat që rrezikojnë të largohen janë ministrit që janë emëruar që prej vitit 2013. Në shtatorin e 2017, pritej që kryeministri të bënte një rifreskim të kabinetit, por shumica ministrave të vjetër mbetën në postet e mëparshme. Megjithatë, kryeministri ka mbetur i pakënaqur nga shumë prej tyre dhe si duket mund të largohen.
Kryebashkiakët rrezikojnë të mos rikandidohen
Gazeta mësoi se kritikave të kryeministrit Edi Rama, nuk do t’i shpëtojnë as kryebashkiakët e Partisë Socialiste, të cilët kanë denjuar t’ju përgjigjen kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Për këtë arsye, mësohet se shefi i qeverise ka qenë i prerë, teksa ka vendosur që kryebashkiakët që nuk kanë qenë bashkëpunues nuk do të rikandidohen. Madje, gazeta mësoi se në total janë më shumë se gjysma e kryebashkiakëve aktualë që pritet të mos rikandidohen, për shkak se kanë rezultuar jo produktiv si gjatë turit të llogaridhënies, ashtu edhe sa i takon përgjigjeve dhe mbështetjeve që duhet t’ju jepnin qytetarëve në lidhje me ankesat dhe shqetësimet e tyre. Po ashtu, mësohet se shefi i qeverisë ka shfaqur pakënaqësi edhe për shumë drejtorë, që nuk kanë qenë produktivë dhe bashkëpunues gjatë turit të llogaridhënies, por edhe për shkak të ankesave të bëra nga qytetarët në portal në adresë të tyre. Madje, mësohet se Rama pritet që të mbaj qëndrim për këta drejtorë, duke i shkarkuar apo transferuar nga detyra gjatë mbledhjes së Asamblesë. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./Rigels SELIMAN