Fitorja e djeshme e Zvicrës kundër Serbisë ka tërbuar popullin serb, të cilët të revoltuar kanë kërkuar që të merren masa kundër dy futbollistëve me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhakës, të cilët e festuan fitoren e tyre me simbolin e shqiponjës dy krenare.
Madje për fitoren e tyre reaguan edhe dy këngëtaret e njohura me origjinë shqiptare Dua Lipa dhe Rita Ora. Dua po e ndiqte ndeshjen dhe në momentin që janë shënuar golat, ajo ka publikuar në instastory një video teksa djemtë shihen duke bërë shqiponjën me dorë.
Ajo e entuziazmuar e ka shoqëruar postimin e saj me flamurin kosovar dhe shqiptar. Kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga ana e popullit serb dhe një nga këngëtaret e famshme në Serbi, Goca Tržan e revoltuar ka bërë një postim në Twitter, ku kërkon që të ndalohen të gjitha këngët e Dua Lipës në radiostacionet serbe.
Me postimin e këngëtares kanë rënë dakord dhe shumë personalitete të tjerë të njohur dhe shumë fansa, të cilët kanë kërkuar që ky vendim të zbatohet. Ndërkohë ka pasur dhe nga ata që i kanë shkruar se këngëtarja Dua Lipa nuk ka faj për humbjen e Serbisë.