Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht 0-1 nga Gjeorgjia në “Air Albania”, me sfidën që vlente për raundin e dytë të ndeshjeve në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Një supergol nga Kochorashvili në minutën e 71-të vendosi ndeshjen, me kuqezinjtë tanë që nuk goditën asnjëherë portën e mbrojtur nga Mamardashvili.
Pas fitores me Ukrainën tre ditë më parë, Kombëtarja merr një humbje në shtëpi. Kjo është humbja e parë në epokën Sylvinho në “Air Albania”. Tanimë ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve kuqezinjtë e luajnë më 11 tetor në Pragë, kundër Çekisë.
Ndeshja/ Dueli nisi që në fillim me shumë kujdes nga lojtarët e dy skuadrave, aq sa për momente të caktuara ndeshja u bë e mërzitshme. 20 minutat e para tanët ishin në kontrollin e situatës, teksa më pas miqtë dolën në lojën e tyre dhe rrezikuan në sulm. Megjithë 2-3 ngacmime, pjesa e parë u mbyll pa gola.
Fraksioni i dytë ishte identik me 45 minutat e para, ndërsa miqtë rrezikuan në dy raste. Pas tyre, duhej perla e Kochorashvili në minutën e 71-të, që Strakosha të shoqëronte topin me sy në rrjetë, duke mos pasur asnjë mundësi reagimi.
As futja në lojë e Uzunit dhe Seferit nuk dha shkëndija, teksa Strakosha me dy pritje vendimtare mbajti tanët në lojë deri në fund, por Kombëtarja nuk prodhoi asnjë gjuajtje në portë as pas katër minutave shtesë.
Me fundin e ndeshjeve të dyta në Grupin B1 të Ligës së Kombeve, kryeson Gjeorgjia me gjashtë pikë të plota, ndjekur nga Shqipëria me tre pikë, aq sa ka edhe Çekia. Në fund Ukraina me zero pikë. Po këtë të martë, Çekia mundi 3-2 Ukrainën.
Notat/ Autori i golit, Kochorashvili ishte padyshim më i miri në fushë me notën 8,1. Ndërkohë për Shqipërinë Ylber Ramadani me 7,7 ishte më i vlerësuari, ndërsa zhgënjeu Manaj me 6,3.
Komentet e rëndësishme nga ndeshja:
90+4′ Mbyllet ndeshja, Gjeorgjia fiton 0-1 me Shqipërinë në Tiranë.
90′ Katër minuta shtesë.
90′ Strakosha bën heroin në dy raste.
81′ Myrto Uzuni merr vendin e Bajramit.
75′ Davitashvili merr vendin e Kvaratskhelia te miqtë.
72′ Jasir Asani dhe Rey Manaj jashtë, Sebastian Spahiu debuton për Kombëtaren, në fushë edhe Seferi.
71′ Kochorashvili ndëshkon Shqipërinë me një supergol, në të parën goditje në portë.
67′ Gabim nga tanët, Ismajli bën shpëtimtarin.
60′ Arbër Hoxha i bën vend Qazim Laçit.
58′ Sërish Gjeorgjia me një rast të mirë, topi jashtë.
55′ Mitaj gabon dhe i dhuron topin kundërshtarëve, goditja e miqve shumë pranë portës.
46′ Nis pjesa e dytë, asnjë zëvendësim për dy skuadrat.
45+1′ Mbyllet 0-0 pjesa e parë në “Air Albania”.
45′ Një minutë shtesë në fundin e pjesës së parë.
44′ Miqtë kontrollojnë minutat e fundit, tanët dalin nga presioni.
39′ Asani dhe Hoxha ‘ngacmojnë’ nga krahët, ende asnjë rast serioz për shënim.
21′ Kvaratskelia “fal” Shqipërinë, sfera kalon gjithë pasqyrën e portës. Tanët me fat.
3′ Mundësi e mirë për tanët, Manaj nuk përfiton nga brenda zone. Gjuajtja ndalet nga mbrojtësit.
1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga miqtë.
Statistikat kundër Gjeorgjisë
Në 16 përballje Shqipëria fituar ka vetëm 3 herë, ndërsa 9 fitore kanë shkuar për Gjeorgjinë dhe 4 takime kanë përfunduar në barazim. Edhe bilanci i golave flet në favor të kundërshtarëve të sotëm. Në portën kuqezi janë realizuar 24 gola, kundrejt 13 të Shqipërisë.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, A. Hoxha, Manaj Trajner: Sylvinho
Gjeorgjia (3-5-2): Mamardashvili, Gvelesiani, Kashia, Dvali, Kakabadze, Koçorashvili, Kiteishvili, Lokoshvili, Çakvetadze, Kvaratskhelia, Mikautadze Trajner: Willy Sagnol