Kryeministri Edi Rama u tregua i prerë nga Asambleja e PS, kur njoftoi se do të nisë goditja ndaj sipërmarrjeve që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve. Kreu i qeverisë tha se kush nuk deklaron pagat do arrestohet si hajdutët e energjisë elektrike.
Nga java e dytë e muajit, tetor Rama tha se do nisë plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore, duke thënë se sipërmarrjet që fshehin pagat reale po vjedhin edhe atë çka u takon pensionistëve.
“Këta të diplomave të Kristalit dhe të titujve dhe dokumenteve të Facebook, i konsiderojnë pensionistë si një trumë që shkon qorrazi pas PS. Po pensionistët këtyre i japin jo ujë në bisht të lugës, por i japin lugën që kur ata të venë në shtëpi të kuptojnë që e kanë bosh.
Pensionistët e dinë më mirë se kush do tjetër që o rrit PS, o nuk i rrit asnjë prej atyre që e shohin Shqipërinë si shesh për përsheshet e veta dhe i marrin shqiptarët si budallenj që mund të hanë 3 herë për djathë atë sapun, qoftë kur është me të njëjtën ngjyrë, qoftë kur serviret me forma të tjera, ai lloj djathi i bërë me ujin e detit të kthyer në kos është thjesht i njëjti sapun.
Javën e dytë të muajit të ardhshëm do nisim të ndajmë me pensionistët një pasqyrë të ideve tona për rritjen pensioneve, por do fillojmë edhe informimin mbi zbatimin e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore.
Ky plan që po punohet prej muajsh, do synojë pikërisht përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike, për të shkuar përtej nivelit të bonusit të fundvitet dhe indeksimit, mund ët them troç, rritja e të ardhurave nga shteti për pensionistët në vitet në vijim nuk mund të jetë domethënëse nëse nuk i japim të gjithë bashkë si shtet, qeveri dhe shoqëri si sipërmarrje një goditje domethënëse fenomenit të fshehjes së pagave që për paspojë godasin të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe vjedhin çka u takon pensionistëve.
E thënë me fjalë të tjera, do bëjmë me kuotat e sigurimeve atë që bëmë me faturat e energjisë. Ata që s’u paguajnë sigurimet sipas pagës do i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike”, tha Rama.