Për gjeneralin amerikan në pension, vizita e shefit të CIA-s në rajon lidhet me ndërtimin e një rezistence kundër dezinformatave ruse dhe ndikimeve kriminale të Moskës dhe për të inkuajuar më shumë afrimin e rajonit me Perëndimin.
Hodges shpreson që vizita e Burns do të ketë ndikim pozitiv sa i përket procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi që potencon se një vizitë e tillë “vjen me një përgatitje të madhe dhe ofrim i përkrahjes dhe inkurajimit”.
Sa i përket veprimeve të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun e vendit dhe për atë nëse është imperative që Kosova të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në në këtë periudhë të pasigurisë së madhe, Hodges thotë se mendon që është jetike që SHBA, BE dhe NATO të vazhdojnë përkrahjen për aspiratat e njerëzve të Ballkanit, që të jenë në gjendje t’i gëzojnë liritë e tyre dhe përfitimet e demokracisë.
Shefi i CIA-s, William Burns, ka qëndruar në Sarajevë, Beograd Sofje, Shkup, dhe ka realizuar gjithashtu edhe një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë. Më 22 gusht kreu i agjencisë së inteligjencës amerikane ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe mëngjesin e 23 gushtit është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Burns ka vizituar Kosovën në momentin kur raportet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së janë të pezmatuara. Ambasadori amerikan Jeff Hovenier nuk ka ngurruar që të ngre alarmin për një gjë të tillë, duke thënë se kualiteti i aleancës është dëmtuar nga disa veprime të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
“Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është konfuze. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me disa veprime dhe zgjedhje politike të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti. Siç kam thënë në një intervistë javën e kaluar, ne po përballemi me disa sfida të caktuara me Qeverinë e tanishme të Kosovës dhe këto sfida kanë ndikuar absolutisht në cilësinë e partneritetit tonë”, ka deklaruar Hovenier./GazetaExpress/