Një operacion kërkim-shpëtimi ka nisur në lindjen e largët të Rusisë pas zhdukjes së një helikopteri me 22 persona në bord, 19 prej të cilëve janë turistë, ndërsa 3 janë anëtarë të ekuipazhit.
Helikopteri Mi-8T u ngrit nga një bazë pranë vullkanit Vachkazhets në gadishullin Kamchatka, tha të shtunën ministria e emergjencave. Kjo zonë e gadishullit është një destinacion popullor turistik, i famshëm për peizazhet e pasura dhe vullkanet aktive.
Zyrtarët thonë se helikopteri u zhduk nga radarët pak pas nisjes, duke shtuar se mjegulla e dendur po pengon përpjekjet e shpëtimtarëve, shkruan BBC.
Helikopteri, në pronësi të Vityaz-Aero, po kryente një udhëtim pranë vullkanit. I projektuar gjatë epokës sovjetike, helikopteri Mi-8 mbetet i popullarizuar dhe i përdorur gjerësisht në Rusi. Ai u zhduk nga radarët dhe anëtarët e ekuipazhit nuk arritën të kontaktojnë rreth orës 16:15 (04:15 GMT), tha guvernatori i Kamchatka. Një burim i ministrisë së emergjencave i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Tass se ekuipazhi nuk raportoi ndonjë vështirësi përpara zhdukjes.
Kërkimet ajrore kanë vazhduar edhe gjatë natës, por ka pasur dukshmëri të dobët, duke vështirësuar punën e tyre. Të tjerë i janë bashkuar kërkimit në këmbë, përgjatë luginës së lumit Bystraya, përgjatë së cilës duhej të lëvizte helikopteri.