Në një periudhë të trazuar dhe të ndarë të politikës shqiptare, tensionet brenda opozitës, veçanërisht PD kanë arritur në një pikë të re kulminante. Ndarjet mes grupeve që mbështesin Lulzim Bashën dhe atyre që janë të lidhur me Sali Berishën kanë çuar në një përplasje të hapur brenda Partisë Demorkatike, duke nxjerrë në pah krizën e thellë që ka mbërthyer strukturat e PD. Disa muaj më parë grupi i Gazment Bardhit i njohur si “renegatë” të Lulzim Bashës braktisën këtë të fundit dhe u hodhën në prehrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin kishin hedhur akuza nga më të ndryshmet. Ky afrim me Berishën u shit në media dhe korridoret e politikës si histori suksesi, ndërkohë që nuk ka ndodhur aspak kështu.
ProfitSence Logo
Por gazeta “SOT” ka mësuar se brenda Partisë Demorkatike ka plasur një sherr i madh brenda, ku protagonistë janë bërë grupi i Berishës dhe “renegatët” e Lulzim Bashës (RENEGAT do të thotë ai ose ajo që heq dorë nga bindjet e nga qëndrimet e mëparshme dhe kalon në anën kundërshtare, tradhtar). Mësohet se për shkak se Bardhi shihet si tradhtarë, Berisha ka vendosur që ta shpallë atë “non-grata”. Burime të sigurta brenda PD i pohuan gazetës se Berisha prej 4 muajsh nuk i hap telefonin zotit Bardhit, duke i bërë dalje dhe paralajmëruar se ai nuk është në projektet e tij sa i takon skuadrës së Partisë Demorkatike që do të garojë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Në këtë sfond, Bardhi është shpallur “non-grata”, një vendim që ka shtuar edhe më shumë tensionet dhe përçarjet. Pra përmes këtij vendimi edhe pse jo zyrtarisht, Gazment Bardhi, jovetëm që është “shkarkuar” nga kreu i grupit parlamentar të PD, por ai tashmë po përdoret si një lodër njëpërdorimshme nga Berisha. Thënë troç “dashuria” mes Bardhit dhe Berishës tashmë i përket të shkuarës. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Reagon Noka
Por ky nuk është i vetmi problem që kanë demokratët dhe Partia Demokratike. Alarmi është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili ka shprehur shqetësim të thellë për dështimin e protestave të fundit të Partisë Demorkatike, duke theksuar pasojat që këto dështime mund të kenë në forcën dhe ndikimin e opozitës. Shembull i kapitullimit të tubimeve është marrë protesta e djeshme e opozitës para Bashkisë së Tiranës ishte një dështim me militantët gjithnjë e më të paktë në numër.
Këtë fakt tashmë e pranon edhe vetë Flamur Noka, i cili menjëherë pas përfundimit të protestës i është drejtuar dje strukturave demokrate me një mesazh ku shfaqet i pakënaqur me pjesëmarrjen në protestë. Gazeta “SOT” ka siguruar mesazhin e Nokës drejtuar strukturave, i cili kërkon më shumë angazhim dhe pjesëmarrje në protesta prej tyre. Sekretari i Përgjithshëm i PD u kujton deputetëve dhe anëtarëve se pushimet kanë mbaruar dhe duhet të angazhohen në protesta. Noka thotë në mesazh se në protestat s’janë vetëm të anëtarëve dhe simpatizantëve, por fillimisht duhet të angazhohet Kryesia.
“Të dashur miq. Uroj që të keni kaluar mirë pushimet. Stina e vjeshtës për PD dhe opozitën do të kthehet në një stinë protestash dhe revolte, mosbindje civile ndaj narkoregjimit me qëllim krijimin e qeverise teknike si të vetmen rrugë për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira. Ky angazhim kërkon më së paku pjesëmarrjen e çdo anëtari/e të kryesisë, të grupit parlamentar, këshillit kombëtar dhe pastaj edhe të strukturave tjera të varësisë deri tek anëtarët dhe mbështetësit tanë në këtë aksion. Duhet të rifillojmë me angazhimin në protestat tek bashkia dhe Rruga e Shpresës. Protestat nuk janë detyre vetëm e anëtarëve dhe simpatizantëve tanë. Jemi kryesi e PD dhe duhet të jemi në ballë të çdo aksioni, proteste, përballje dhe revolte. Faleminderit”, shkruhet në mesazhin e Flamur Nokës.
Pra ky zhvillim thellon krizën dhe pasigurinë në radhët e opozitës shqiptare, duke nxjerrë në pah sfidat e mëdha që ajo përballet për të rikuperuar unitetin dhe efektivitetin e saj. Ndërkohë kujtojmë se dje në tubimin e 23-të të opozitës para Bashkisë së Tiranës, militantët e Sali Berishës, ishin edhe më të pakët në numër./Rigels Seliman