Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka rënë në gjurmët e parave të dyshimta të politikanëve shqiptarë. Reforma në drejtësi ka bërë që shumë prej tyre të fshehin të ardhurat dhe të nxjerrin para jashtë, por duket se askush nuk ka shpëtim. Gazeta ka siguruar raportin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ku jepen detaje mbi punën e vitit që lamë pas nga institucioni i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj. Ashtu siç gazeta e ka deklaruar më herët, gjatë 2017 janë kallëzuar penalisht 32 zyrtarë për fshehje pasurie, ku mes të cilëve ka deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë të lartë. Por ILDKP ka vënë re se gjatë vitit 2017 pasuria e pajustifikuar e pushtetarëve shqiptarë është rritur ndjeshëm. Bëhet fjalë për 80 milionë euro pasuri që nuk justifikohet nga asnjë prej tyre. Sipas statistikave, për periudhën 2003 – 2014 politikanët nuk kanë justifikuar rreth 1.2 milion euro pasuri. Sipas ILDKP, bëhet fjalë për pasuri që nuk rrjedh nga burime të ligjshme dhe është e pambuluar me dokumente justifikuese ligjore. Po në vitin 2017 kjo shifër ka shkuar në 80 milionë euro. Pra gjatë viteve të fundit bëhet fjalë për 78.8 milionë euro pasuri që është e pa justifikuar nga deputetë, kryebashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. ILDKP ka njoftuar se për ta janë informuar dhe autoritet e tjera përkatëse, ku ka pasur kallëzime në Prokurori dhe janë dorëzuar të dhëna pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave. “Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2017 ka referuar pranë institucionit të Prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave 262 subjekte, në të cilët janë përfshirë zyrtarë të të gjitha kategorive dhe niveleve, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kryetarë bashkie, drejtorë drejtorie etj. Për periudhën raportuese janë paraqitur në total 32 raste referimesh penale”, thuhet në raport.
Aplikimi i gjobave
Në raportin e ILDKP jepen të dhëna dhe mbi gjobat që janë aplikuar. Kështu, për periudhën gati 11 vjeçare 2003 – 2013, ILDKP rezulton të këtë aplikuar në total 118 masa administrative dhe të ketë depozituar pranë organit të akuzës në total 57 kallëzime penale. Ndërsa vetëm për katër vitet e fundit për periudhën 2014 – 2017 Inspektorati rezulton të ketë aplikuar në total 1.560 masa administrative ndaj zyrtareve, si dhe të ketë aplikuar 140 masa administrative me “gjobe” në kuadër të ligjit nr. 60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve “. Ne total për periudhën 2014-2017 rezulton të jenë aplikuar 1.700 sanksione administrative me “gjobë”. Gjithashtu, rezulton të ketë referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe strukturave të hetimit tatimor në total 262 kallëzime penale dhe referime të tjera.
Bashkëpunimi me partnerët
ILDKP përgjatë vitit raportues ka vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm me
Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, me Agjencitë e Shteteve te Bashkuara të
Amerikës si OPDAT, USAID, Këshillin e Evropës, zyrën e OSBE në Tirane etj. Ne këtë kuadër, ILDKPKI, gjatë vitit 2017 vijoi procesin e zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje për hartimin, koordinimin dhe zbatimin e politikave kundër korrupsionit”, projekt ndërmjet Austrisë, Gjermanisë dhe Shqipërisë, i financuar nga BE. /Kliti Topalli