Adriatik Lapaj zbuloi në A2 CNN dy nisma që lëvizja e tij politike, “Shqipëria bëhet”, do të ndërmarrë nëse do të ketë mundësi të drjetojë vendin.
“Për zyrtarët e lartë të këtij shteti, që përfshihen në korrupsion, të konsiderohet tradhti kombëtare dhe të dënohet me minimumi 25 vite burg”, tha Lapaj në një intervistë në Ditarin e fundjavës në A2 CNN, me Erion Dushin.
“Për zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, të cilëve ne u kemi besuar gradat, armët, për të na ruajtur dhe që bashkëpunojnë me krimin, të konsiderohet tradhti kombëtare dhe të dënohen me 25 vite burg”.
Në lidhje me kadastrën, Lapaj tha se do të zerojë korrupsionin me një mënyrë të thjeshtë. “Po e them për herë të parë në një televizion shqiptar. Ne Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, nëse do ta kemi ne në dorë, do ta kthejmë në arkivë dhe fjetore dokumentesh”, tha Lapaj.
“Në një institucion që nuk do të kryejë më dot veprime. Veprimet në 80% të tyre do t’i bëjnë noterët. Sepse noteri del në bazë të një ligji të posaçëm dhe ka një licencë që vlen më shumë se vendi i punës i një nëpunësi. Noteri humbet shumë nëse humbet licencën”.
“E kanë shqiptarët në dorë!”
Ai shtoi se shqiptarët duhet të kenë më shumë guxim për t’u ndarë nga e kaluara dhe të përqafojnë nismat e reja politike, kur duhen edhe më pak se një vit nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Lapaj tha kutitë e votimit nuk preken, por zgjedhjet caktohen para se njerëzit të shkojnë te kutitë.
“Gjithçka e kanë njerëzit në dorë. Rezultati në kuti është i paprekur, qe prekur jashtë kutie. Ti shkon dhe e shet votën. Ku është problemi te ky që e blen apo te ty që e shet? Ky e trajton si biznes, ti si qytetar do ta trajtosh si biznes?
Ja e shite, ç’fitove? Fitove mungesën e ilaçeve në spital? Fitove mungesën e rrugëve, që fëmijët të ikin jashtë, fitove që merr pensionin më të ulët në Ballkan?”, tha Lapaj.
“Asnjë ngjashmëri me Ramën!”
Ai shtoi se lëvizja që ai drejton ka shumë më tepër personalitete dhe njerëz të kualifikuar e të arrirë se sa partitë e tjera politike dhe gjithashtu hodhi poshtë çdo krahasim me Edi Ramën e vitit 2013, para se ai të merrte pushtetin qendror.
“Është e vërtetë që në atë fazë ai krijoi emocion dhe besueshmëri. Por fakti që dikush ka dështuar dhe ka prerë në besë popullin e vet, nuk do të thotë që populli të vrasë besimin. Rrugëtimi i zotit Rama me tonin nuk ka ngjashmëri.
Rama u bë ministër, pastaj kryetar bashkie, pastaj kryeministër. E gjeti partinë gati, me struktura. Kjo që po bëjmë ne është tjetër gjë”, tha Lapaj.
“Unë i kisha rënë shkurt, kisha shkuar te partia e zotit Rama. Nuk besoj se më mungon aftësia e retorikës për t’u ngjitur shpejt aty. Në sistemin shqiptar, po të isha djalë pa moral i këpusja dhe 2-3 lëpirje kryetarit dhe katapultohesha në krye të qeverisë shumë shpejt. Në majë, atje. Dhe vazhdonte populli ikte nga ky vend dhe vazhdonte parodia e përditshme”.