Nga Baton Haxhiu
Në dekadën e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim të rëndësishëm në politikën e saj të jashtme, duke kaluar nga një aktor periferik në një lojtar të vlerësuar në rajon dhe në skenën ndërkombëtare. Kjo rritje në rëndësi dhe ndikim është një nga arritjet më të mëdha të Kryeministrit Edi Rama gjatë mandatit të tij të katërt dhe një dëshmi e punës së tij për të përforcuar pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Në mandatin e Ramës, Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane. Ka bërë çmos në ngritjen e Kosovës në përfaqësim dhe të ruaj një marrëdhënie ekulibruese dhe pa konflikt me Serbinë.
Duke vepruar si një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO, kryesimi i qeverisjes nga Rama ka ndihmuar në forcimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike midis vendeve ballkanike dhe Perëndimit. Kjo është reflektuar në përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, një çështje delikate dhe kyçe për paqen në rajon.
Në nivel ndërkombëtar, Shqipëria është bërë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke përfituar nga kjo platformë për të adresuar çështje të interesit global dhe për të përfaqësuar interesat e saj dhe të rajonit.
Ky pozicion i jep Shqipërisë një zë të fuqishëm në çështjet globale, dhe Rama ka përdorur këtë zë për të promovuar paqen, stabilitetin dhe drejtësinë ndërkombëtare, duke rritur imazhin e vendit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
Në një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare janë të ndërlikuara dhe sfidat gjeopolitike janë të shumta, Shqipëria ka ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet e saj me aleatët kryesorë perëndimorë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë mandatit të tij, Rama ka konsoliduar partneritetin strategjik me SHBA-të, duke thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si siguria, mbrojtja dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Rama ka qenë një mbështetës i fuqishëm i politikave perëndimore, duke u angazhuar aktivisht në fushatat për ruajtjen e stabilitetit global dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Për shembull, Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e sanksioneve kundër regjimeve autokratike dhe ka ofruar ndihmë humanitare në kriza të ndryshme ndërkombëtare, duke reflektuar një angazhim të fortë ndaj aleatëve të saj perëndimorë, sidomos ne përkrahje te pakufishme për Ukrainën.
Integrimi evropian ka qenë një tjetër fushë ku Shqipëria ka shënuar progres të madh gjatë mandatit të Ramës. Përkundër sfidave të brendshme dhe rezistencës politike në disa vende të BE-së, qeveria shqiptare ka përmbushur një sërë reformash thelbësore për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Reformimi i gjyqësorit dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin janë vlerësuar nga Komisioni Evropian dhe liderët evropianë, duke i hapur rrugën Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Kjo përpjekje për anëtarësim ka qenë një sfidë e madhe për qeverinë e Ramës, por edhe një arritje e rëndësishme në drejtimin e politikës së jashtme. Marrëdhëniet e tij të ngushta me liderët kryesorë evropianë, si Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, pastaj me vendet si Italia, Holanda dhe Luksemburgu, kanë ndihmuar në krijimin e një narrative pozitive për Shqipërinë si një vend që është i përkushtuar ndaj reformave dhe vlerave evropiane.
Dhe nëse është aspak i diskutueshëm suksesi i Edi Ramës (në këtë rast direkt dhe jo i ekzekutivit të tij gjerë), po ashtu direkt me të lidhet ndoshta ajo që mund të ketë qenë e vetmja dobësi në këtë fushë.
Një lloj mungese kujdesi dhe vëmendje ndaj interesave të socialdemokratëve evropianë – fushë të cilës ai i përket – duke anashkaluar dhe teorizuar ndarjet ideologjike mes të djathtës dhe të majtës.
Nëse e bëri këtë zgjedhje i shtyre nga një koncept i trashëguar nga Tony Blair (se nuk ka më një të djathtë dhe të majtë si jemi mësuar ta shohim në histori), është pikërisht historia e laburistëve post Tony Blair dhe vetë beteja e kësaj vere për ulëset në Parlamentin Evropian, që tregojnë qartazi se nëse qendra mes dy poleve politike mbetet fusha me e fortë, ndasitë dhe vendosmëria për të treguar diferencat ideologjike mes të djathtës dhe të majtës janë të pranishme qartësisht.
E kuptueshme që për një vend të vogël zotësia në lëvizjet e një tavoline shahu ku të mëdhenjtë e bëjnë lojën, qëndron pikërisht në aftësinë për të mbajtur ekuilibrin. Por po me aq rëndësi në këtë ekuilibër është besnikëria ndaj principeve dhe aleancave të fushës së cilës i përket.
Në përmbledhje, suksesi i Shqipërisë në politikën e jashtme gjatë mandatit të Kryeministrit Rama është një nga arritjet më të spikatura të tij. Shqipëria, nën udhëheqjen e Ramës, është ngritur në një aktor të respektuar në arenën ndërkombëtare, duke ndikuar pozitivisht në stabilitetin rajonal dhe duke forcuar marrëdhëniet me aleatët kryesorë.
Tregues janë Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, hapja e Kolegjit të Evropës, konferencat, etj.. Ndërsa Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, sukseset në politikën e jashtme do të jenë një gur themeli për të ardhmen e vendit dhe për vendosjen e Shqipërisë në një pozicion të fortë në skenën globale.
by TaboolaSponsored Links