Shërbimi inteligjent amerikan ka një sërë dokumentesh për Shqipërinë. CIA ka deklasifikuar disa dokumente të vitit 1994 dhe në to tregohet aktiviteti i qeverisë demokratike dhe i Sali Berishës. Interesant është fakti se CIA përmend arrestimin e Fatos Nanos, ku thuhet se ai u fut në qeli në kuadër të një lufte që nisi ndaj korrupsionit. Po ashtu përmenden dhe akuzat ndaj Ramiz Alisë. Një vëmendje i kushtohet kapaciteteve ushtarake të vendit, ku theksohet se qeveria e atëhershme kërkoi ndihmë nga vendet arabe dhe Turqia. Po ashtu thuhet se pati lëvizje për të blerë armatime në SHBA, ku përmenden dhe disa helikopterë F-16.
7 korrik 1994
Shqipëria po përballet me një periudhë të vështirë tranzicioni drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut, pas afro pesë dekadash regjimi stalinist, që prej Luftës së Dytë Botërore. Ish-presidenti Alia, i zgjedhur nga vetë diktatori Enver Hoxha, me hezitim ka nisur disa reforma të kufizuara politike dhe ekonomike prej vitit 1990. Partia Demokratike me liderin karizmatik Sali Berisha, fitoi zgjedhjet parlamentare në 1992, duke zgjedhur presidentin e parë demokratik në më shumë se 50 vjet. Kabineti i kryeministrit Meksi dominohet nga demokratët. Shumica e anëtarëve janë relativisht të rinj. Ata nuk kanë eksperiencë politike, por janë zgjedhur pasi nuk kanë lidhje me regjimin e vjetër komunist.
Reformat
Qeveria po përqendrohet në reformat ekonomike dhe privatizimin e bizneseve. Po kryhet gjithashtu depolitizimi i sistemit të vjetruar dhe të paaftë gjyqësor. Raportohet të jenë kompletuar 90 për qind e privatizimeve të tokës agrare dhe është bërë progres në privatizimin e shtëpive dhe bizneseve të vogla. Vjeshtën e kaluar, Parlamenti kaloi ligjin e zbutjes së kufizimeve për bizneset e huaja dhe lejimin e riatdhesimit të fitimeve. Fushata qeveritare anti-korrupsion ka çuar në arrestimin e disa liderëve ish-komunistë, ish-zyrtarëve bankarë dhe menaxherë biznesi, me akuza përvetësimi parash. Ish-kryeministri komunist dhe kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, u dënua me burg për korrupsion në mars, kurse ish-diktatori komunist Alia u dënua për abuzim me pushtetin në qershor. Përpjekjet e demokratëve për spastrimin e korrupsionit nga rangjet e tyre dhe për eliminimin e konfliktit të interesit, bënë që vjeshtën e kaluar të jepte dorëheqjen ministri i Financave, pas akuzave indirekte për përvetësime fondesh.
Ekonomia ende e dobët
Programi i reformave të qeverisë po nis të japë rezultate. GDP u rrit me 10 për qind gjatë vitit 1993, pas rënies me rreth 35 për qind një vit më parë, ndërsa inflacioni u ul me nga rreth 230 për qind në 1992, në 31 për qind vitin e kaluar. Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë shtetit, të cilët përbëjnë rreth 15 për qind të forcës punëtore, po rezultojnë një rrjet sigurie në këtë kohë tranzicioni. Vitin e kaluar, qeveria demokratike reduktoi shumë pagesat e ndihmës sociale si dhe administratën publike, për të parandaluar hiperinflacionin. Zyrtarët lokalë kanë shitur apo dhënë me qera ish-dyqanet shtetërore te ish-të punësuarit dhe rreth 90 për qind e tokës bujqësore u është dhënë zotëruesve privatë. Por gjithsesi ekonomia mbetet e dobët ndaj forcave të jashtme. Situata për shumë shqiptarë mbetet e rëndë dhe standardet e jetesës nuk pritet t’i afrohen atyre evropiane për disa dekada. Shqipëria është e varur nga ndihma dhe investimet e huaja, si dhe nga remitancat e refugjatëve jashtë vendit. Industria vendore është zeruar dhe furnizimi i brendshëm afër zeros, çka kanë bërë që papunësia të qëndrojë mbi 20 për qind.
Politika e jashtme
Shumë shqiptarë kërkojnë integrimin në Evropë pas disa dekadash izolimi dhe vendi po përpiqet të hyjë në organizma si Këshilli Evropian apo NACC. Në të njëjtën kohë, frika për situatën ekonomike dhe pasojat e konfliktit në Jugosllavi, kanë bërë që Tirana të shikojë nga Turqia dhe vende të tjera islamike për ndihmë. Tirana shqetësohet se tensionet etnike në Jugosllavi dhe Kosovë mund të sjellin dhunë mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Shqipëria është përpjekur të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe deri tani ka mbajtur një qëndrim të moderuar për Kosovën. Tirana duket se po humbet shpresën për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe është në favor të përfshirjes aktive nëse shpërthen dhuna në Kosovë. Megjithëse aktualisht nuk ka shumë entuziazëm për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën, shumë shqiptarë do të mbështesnin ndërhyrjen ushtarake në ndihmë të kosovarëve, kundra ofensivës serbe. Në rast të shpërthimit të luftimeve, Shqipëria do të mbështesë guerrilasit kosovarë që ata të përdorin territorin shqiptar për organizim dhe për armatosje nga vende të treta.
Rreziku i tensioneve
Tirana shqetësohet se dhuna në Kosovë do të përhapet në Maqedoni. Në rast të nisjes së dhunës, rreth 150 000 refugjatë shqiptarë do të largoheshin drejt Maqedonisë, dhe kjo do të sillte rritje të tensioneve etnike atje, duke nxitur reagime anti-shqiptare nga nacionalistët maqedonas, pa përmendur vështirësitë ekonomike të vendit. Megjithë dëshirën e saj për avancimin e të drejtave etnike për shqiptarët e Maqedonisë, Tirana është përpjekur të ruajë marrëdhënie të mira me Shkupin. Berisha i ka këshilluar liderët etnikë shqiptarë të atjeshëm të punojnë me qeverinë maqedonase, e cila gjithsesi mbështetet në koalicionin me partinë e shqiptarëve për të ruajtur pushtetin. Liderët e Shqipërisë tremben se destabilizimi në Maqedoni mund të nxisë tensionet etnike në rajon dhe të kërcënojë vetë stabilitetin e Tiranës, duke e tërhequr Shqipërinë në një konflikt. Prishjet prej skandalit të paramilitarëve shqiptarë në Maqedoni dhe ndarjet mes vetë partisë kryesore shqiptare atje, kanë tensionuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë këtë dimër. Shkupi akuzoi Tiranën për furnizim me armë të organizatës paramilitare dhe gjithashtu për nxitje të përçarjeve etnike në partinë shqiptare, duke mbështetur një fraksion aktivistësh që ishte shumë agresiv ndaj qeverisë për lejimet mbi çështjet etnike.
Marrëdhëniet me Greqinë
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë gjithashtu përkeqësuar që prej një incidenti kufitar më 10 prill ku u vranë dy oficerë shqiptarë. Greqia akuzon se Shqipëria po keqtrajton minoritetin etnik grek në vend, duke iu referuar incidentit të arrestimit të gjashtë grekëve etnikë me akuzën e sulmeve dhe aktiviteteve separatiste, si dhe lidhje me shërbimet greke të inteligjencës. Megjithëse Tirana po kërkon një përmirësim të dialogut me Athinën, tensionet për trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri me shumë gjasa do të vazhdojnë. Tirana nuk ka kapacitete për të ndaluar apo kufizuar fluksin e refugjatëve drejt Greqisë. Mohimet e saj të përsëritura ndaj akuzave për keqtrajtime të minoritetit grek, sugjerojnë se ajo do të bëjë vetëm riparime të vogla në politikën e kësaj çështjeje, siç mund të jetë arsimi në gjuhën greke, sa për të qetësuar kritikat e Athinës
Gjendja e Forcave të Armatosura
Shqipëria po përpiqet por nuk po arrin të krijojë një forcë të besueshme ushtarake pas disa dekadash izolimi dhe nuk po arrin të modernizojë ushtrinë me burimet e saj, që në vitin 1992 arrinin në vetëm 33 milionë dollarë. Ajo ka kërkuar asistencë nga NATO dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara. Me shumë gjasa, Tirana do t’i kërkojë ndihmë SHBA për modernizimin e ushtrisë. Shqipëria kërkon mbrojtje moderne ajrore, duke përfshirë avionë F-16, armë dhe një sistem modern komande e kontrolli. Në të kaluarën, ata i kanë kërcënuar të kërkojnë ndihmë nga vende radikale islamike si Libia dhe Irani, nëse Perëndimi nuk bashkëpunon. Shqipëria ishte një ndër të parat që nënshkroi paktin e bashkëpunimit të paqes me NATO, por ka qenë e ngadaltë në formulimin e planit për manovrat dhe stërvitjet e përbashkëta.
Vetëm pak nga anëtarët e NATO i kanë kushtuar vëmendje nevojave të sigurisë të Shqipërisë, prandaj kjo e fundit ka kërcënuar se do të kërkojë ndihmë nga bota islamike. Turqia, i vetmi vend mysliman i NATO, periodikisht ka angazhuar instruktorë për njësitë ushtarake shqiptare dhe ka arsimuar ushtarakisht oficerët shqiptarë. Malajzia gjithashtu ka pranuar të stërvisë disa oficerë shqiptarë. Ushtria shqiptare u riorganizua nga 23 në 9 divizione dhe vitin e kaluar planifikoi të reduktonte forcën aktive ushtarake në 30 000 njerëz. Divizionet e reja në kohë paqeje përbëhen nga 20% e stafit. Shqipëria ka reduktuar kohën e shërbimit ushtarak nga 24 në 18 muaj dhe vitin e kaluar rinisi stërvitjen ushtarake pas disa vitesh neglizhim. Shqipëria prej 20 vjetësh nuk ka marrë pjesë këmbimi për armët e saj të tipit sovjetik, të prodhuara në Kinë dhe ka nevojë urgjente për modernizimin e njësive të saj.
Forcat ajrore dhe të mbrojtjes
Forcat ajrore dhe të mbrojtjes prej 4000 njerëzish, zotërojnë 87 avionë të viteve 1950-1960, si dhe një seri armësh të vjetra artilerie dhe raketa tokë ajër. Pilotët mund të fluturojnë avionët e tyre të vjetruar për rreth 15 orë në vit, kryesisht për arsye të mungesës së karburantit dhe mirëmbajtjes. Forcat detare përbëhen nga një forcë prej 3000 njerëzish dhe zotërojnë disa mjete të vjetra patrullimi dhe anije mina-vendosëse. Ato kanë dhe katër nëndetëse të vogla për mbrojtje bregdetare. Vetëm një nga nëndetëset besohet të jetë operacionale për arsye të problemeve të mirëmbajtjes, dhe besohet se mund të zhytet deri në 30 metra.
Kapacitetet e forcës
Ushtria mund të mobilizojë mjaftueshëm trupa për t’u përballur me përplasje të vogla, por nuk mund të përballojë një inkursion serioz serb me armë moderne. Mangësitë në transport dhe rrjeti i dobët rrugor e hekurudhor pengojnë zhvendosjen e njësive drejt kufirit me Kosovën. Por gjithsesi, Shqipëria mund të përmbajë një sulm të kufizuar serb në kufi, ku dhe terreni i vështirë favorizon mbrojtësit. Me thirrjen e rreth 50 000 rezervistëve që jetojnë në afërsi të kufirit, ushtria mund të niste përdorimin e taktikave të luftës guerile për t’iu kundërvënë serbëve.
Megjithëse qeveria do të vihet nën presion të fortë të brendshëm për të vepruar në ndihmë të kosovarëve, ne nuk besojmë se Tirana do të konsiderojë përdorimin e forcës si një opsion praktik për mbrojtjen e shqiptarëve. Forca ajrore shqiptare nuk mund të matet me atë të fqinjëve të saj serbë. Pa mbrojtjen ajrore, forcat e terrenit do të ishin të pashpresa kundrejt rreth 260 avionëve serbë relativisht modernë dhe mjete të blinduara me të cilat mund të përballen. Njësitë detare shqiptare janë ndoshta të afta vetëm për vendosjen e minave detare apo disa sulmeve sporadike në portin e afërt serb Bar, në Malin e Zi, por këto sulme do të ishin të kushtueshme dhe do të sillnin me siguri kundërveprimin serb.
Rreziku i Beogradit
Beogradi nuk ka plane territoriale për Shqipërinë, por mund të përdorë forcën ushtarake për të ndaluar ndihmën e saj ndaj Kosovës. Serbia mund të ndjekë brenda në Shqipëri guerrilasit që kërkojnë të shpëtojnë nga ndjekja dhe mund të pushtojë kalimet malore në anën shqiptare të kufirit, ku me siguri ata do të hasin në njësitë shqiptare të ushtrisë. Por fuqia superiore e Serbisë do të neutralizojë ushtrinë shqiptare dhe me shumë gjasa do të përdoret forca ajrore kundër bazave të dyshuara të guerrilasve, apo ndoshta edhe kundër qendrave të banuara në kundërpërgjigje të ndihmës ndaj kosovarëve.
Konflikti do të zgjatej nëse shqiptarët përfitonin nga terreni i vështirë malor dhe kryenin luftë guerile në Kosovë. Me pak shanse për të fituar një konflikt ushtarak me Serbinë, liderët shqiptarë do të kërkojnë ndihmë nga vendet e huaja, duke përfshirë edhe ato myslimane. Megjithëse Irani ka raportuar se do të dërgojë vullnetarë për të ndihmuar që Shqipëria të ndalojë sulmet kufitare, Tirana do të presë më shumë ndihmë nga Turqia si partneri i saj më i rëndësishëm. Një marrëveshje e kohëve të fundit për asistencë mes dy vendeve parashikon manovra të përbashkëta ushtarake, të cilën Turqia mund ta përdorë si pretekst për krijimin e forcave në Shqipëri. Megjithëse Turqia nuk do të angazhojë forca të shumta në konfliktin mes Shqipërisë e Serbisë, Ankaraja mund të ndihmojë me avionë, kryesisht të tipit SAM, nëse Shqipëria sulmohet. Ndërhyrja turke do të nxisë dyshimet greke mbi rritjen e influencës së Ankarasë në rajon, sipas diplomatëve amerikanë, dhe rrjedhimisht të përkeqësojë marrëdhëniet mes dy vendeve. /SOT