Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, rikujton ndërtuesit dhe administratorët e pallateve mbi detyrimet ligjore që kanë në lidhje me sigurinë e ashensorëve.
“Rregulli teknik lidhur me ashensorët në përdorim zbatohet për të gjithë ashensorët ekzistues të instaluar dhe vendosur në shërbim përpara datës 31 dhjetor 2019 dhe ashensorët e rinj të instaluar dhe vendosur në shërbim prej datës 31 dhjetor 2019.
Detyrimet e personave përgjegjës janë si më poshtë: regjistrimin e ashensorit pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, vlerësimin e konformitetit për sigurinë e tyre, mirëmbajtjen e ashensorit dhe modernizimin e ashensorit sipas nevojës dhe libri i sigurisë së ashensorit”, shkruan Gonxhja.
Gjithashtu, “rregulli teknik lidhur me ashensorët e rinj që instalohen për herë të parë zbatohet për të gjithë ashensorët, për komponentët e sigurisë, si edhe për vetë procesin e instalimit të ashensorit.
Ky rregull teknik ka për qëllim të përcaktoje detyrimet konkrete ligjore të prodhuesve të komponentëve të sigurisë, instaluesve të ashensorit dhe të organeve të miratuara, me qëllim që pjesët përbërëse të ashensorit, komponentët e sigurisë, si dhe vetë ashensori si produkt përfundimtar të plotësojnë kërkesat thelbësore mbi shëndetin dhe sigurinë”.
Gjithashtu, ministri i Ekonomisë, rikujton edhe detyrimet që rrjedhin nga Neni 3 i ligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, për vendosjen e markimit CE.
“Personi përgjegjës i produktit/instalimit të vënë në shërbim për të tretët apo për publikun është titullari i së drejtës së pronësisë mbi produktin/instalimin, personi që ka në gëzim të përkohshëm produktin/instalimin, nëse ky i fundit ka detyrimin e garantimit të përputhshmërisë së produktit/instalimit me kërkesat e detyrueshme të sigurisë, në bazë të një marrëveshjeje me pronarin apo një akti administrativ, punëdhënësi për produktin/instalimin e vendosur në vendin e punës.
Nëse produkti/instalimi është i vendosur në ndërtesat e përbashkëta të banimit, personi përgjegjës, gjatë periudhës së ndërtimit dhe për një periudhë 5 vjet nga regjistrimi i bashkëpronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme është sipërmarrësi që kryen ndërtimin.