Skandali i rëndë që ka përfshirë Prokurorinë e Korçës me mbulimin e vrasjes në Pogradec, ka lënë jashtë vëmendjes Prokurorinë e Tiranës, ku ‘zbuten’ dhe mbyllen çdo javë dosje të krimeve kundër jetës, pastrim parash, evazion fiskal, grabitje etj.
Prapaskena është sinjalizuar se po bëhen përpjekje përmes ndikimit të paligjshëm dhe deformimit për të zbutur dhe çuar drejt mbylljes së dosjes për shtetasin Edison Elezaj, 32 vjeç, djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i Ujit Lajthiza.
Në 23 korrik të këtij viti, Edison Elezaj plagosi rëndë 3 persona në Tiranë.
Policia jo vetëm që nuk e ka arrestuar, por e ruan autorin e ngjarjes, duke pushuar sa në Jug të vendit aq edhe në Tiranë.
Nga ana tjetër, në Prokurorinë e Tiranës kanë nisur lëvizjet për zbutjen dhe zhbërjen e akuzave. Ftojmë SPAK dhe BKH të monitorojë ecurinë e kësaj çështje.
Qëllimi është që Edison Elezaj të mos bëjë asnjë ditë burg për plagosjen e trefishtë dhe armëmbajtja pa leje.
Ngjarja
Në orët e para të mëngjesit të kësaj të 23 korrikut 2024, tre persona janë paraqitur të plagosur me armë zjarri në një spital privat për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas policisë tre personat të moshave 34 dhe 36 vjeç kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.
Në mesin e personave që kanë mbetur të lënduar është dhe një vajzë 36-vjeçare.
Mësohet se personi që ka qëlluar është Edison Elezaj, 32 vjeç, djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i Ujit Lajthiza.
Edison Elezaj mbante armë pa leje, ashtu si djali i Ardian Fullanit, Erik Fullani, i cili u kap nga policia me pistoletë pa leje, duke mbyllur më pas dosjen në mënyrë tejet të dyshimtë.
Skandali qëndron në faktin se policia po fsheh dhe manipulon ngjarjen, duke dalë në konkluzionin se E. E. ka qëlluar aksidentalisht.
Çudia tjetër një njoftimin e policisë është se sipas tyre, për shkak të një shkrepje të pavullnetshme, djali i biznesmenit ka lënë të plagosur 3 persona.
Por pse i është dashur në një festë familjare një armë, për të cilën nuk zotëron as leje, ta nxjerrë e ta shkrepë në mënyrë të “pavullnetshme”?! Dhe mbi të gjitha një shkrepje të plagosë 3 persona?!
Siç edhe duket, këtu fshihet diçka tjetër dhe dikush po tenton ta mbulojë.
“Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.
Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.
Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E.“– njoftoi policia.
Kujtojmë që në vitin 2019, djemtë e biznesmenit Hajri Elezaj (i njohur si pronari i ujit Lajthiza), Edison Elezaj dhe R. Elezaj, janë përplasur me Altin Isaranj, vëllai i ish-Drejtorit të Transportit Rrugor Arben Isaraj.
Në vitin 2013 Hajri Elezaj është dënuar me 6 muaj burg si i përfshirë në skandalin e kontrabandës së naftës Virgin.
Disa javë më parë, kompania “Lajthiza” e Hajri Elezit është denoncuar në media se në kundërshtim me vendimet e gjykatës, po tenton zaptimin e 7 burimeve të Mirditës për të ndërtuar fabrikë uji dhe hidrocentral.
Të gjitha këto fakte tregojnë për dobësinë e shtetit ligjor dha barazisë para ligjit.