Ylli Manjani, ish-drejtues i policisë Financiare të Saliut të Parë, ish- sekretari i qeverisë së Fatos Nanos, ish-njeri i afërt i Edi Ramës, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Ilir Metës, sot përkrahës i fortë i Sali Berishës, ka deklaruar se vettingu ka hequr prokurorë e gjyqtar, sot ka deklaruar se vettingu e rrëzoi drejtësinë. Sipas Manjanit, që realisht nuk se ka punuar në drejtësi por që mendon se është një jurist i mirë, ka ndodhur tmerri. Që e tregon me një postim të tij.
Postimi i Manjanit
E vërteta është që vettingu ishte operacion i thellë dhe largoi goxha tumor nga sistemi.
Është gjithashtu e vërtetë që bashkë me tumorin, ky operacion largoi edhe inde të shëndetshme të organeve vitale të sistemit. U larguan pa asnjë motiv bindës, kushtetues jo e jo, gjykatës e prokurorë që nuk ishin tumori i sistemit.
Kjo e ka dëmtuar shumë sistemin dhe besueshmërinë e vettingut e të reformës.
Ç’është më e keqja fare, operacioni i vetting ka lënë në sistem me vendim të formës së prerë ende qeliza metastatike nga tumori i vjetër. Këto qeliza janë të pangopshme deri sa të saturohen e të bëhen tumor i madh sa ai që hoqëm. (Ka drejtësi por është pak e shtrenjtë – tha dikush).
Sa iu nxihet jeta njerëzve kot për të pritur pafundësisht për një vendim.
Jam, pa asnjë dyshim, i mendimit se ligjet e administrimit të sistemit duhen riparë sa më shpejt.
I duhet hapur rruga rivitalizimit të tij. Ka dosje pa fund që presin të gjykohen. Njerëz në rradha të gjata dhe në kundërgarë edhe me jetën që presin….
Gjykatësit e prokurorët që u larguan nga detyra pa iu vlerësuar pasuria sipas kriterit kushtetues të dyfishit të pasurisë, duhen rikthyer në detyrë.
Duhet vendosur në zbatim një kriter i dakordësuar në Kushtetutë, në fund të fundit. Përse kasapët e operacionit të vettingut qenkan mbi Kushtetutën?!
Sistemit i duhen burime njerëzore jo deklarata politike e populiste. As ëndrralla aleatësh, ambasadorësh apo ekspertësht pa emër.
As shkolla e magistraturës nuk i plotëson dot nevojat emergjente të sistemit për njerëz. Jo vetëm në numër burimesh njerëzore, por edhe në përvojën jetësore e profesionale. Drejtësia ka nevojë shumë për këtë të fundit.
Më në fund, siç edhe e pamë, a u luftua korrupsioni apo u thellua pas vetting-ut?! Edhe raportet e shtetit të ambasadorëve “reformatorë” thonë se korrupsioni u shtua!!!
Ja pra që duhet terapi tjetër dhe jo ndërhyrje kasapësh politikë.