Dy të vrarë e dy vëllezër në kërkim. Ky është bilanci i një ngjarjeje të rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme (19 gusht 2024) në Velipojë të Shkodrës.
Ka qenë ora 21:00 kur Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi janë qëlluar me armë nga dy vëllezërit e identifikuar momentalisht me inicialet E.F dhe G.F .
Dy të plagosurit janë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës por mësohet se si pasojë e plagëve të marra të dy kanë humbur jetën në sallën e operacionit.
Policia thotë se krimi ka ndodhur për motive të dobëta. Megjithatë ka dyshime se mes vëllezërve dhe viktimave ka patur një konflikt 3 javë më parë. Ata kanë qenë sot në një lokal në Velipojë ku ndodhi dhe ngjarja e rëndë.
Është ngritur një grupi i posaçëm dhe po vijon puna për dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për kapjen e autorëve.
‘Më datë 19.08.2024, rreth orës 21:00, në Velipojë, dyshohet se për motive të dobëta, dy vëllezërit E.F., dhe G. F., dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. H., dhe E. I, të cilët u transportuaan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodër por si pasojë e plagëve të marra humbën jetën në spital.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, si grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Njëkohësisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje.’, njofton policia.
Ersild Ishmi kujtojmë ka qenë i përfshirë më herët në një ngjarje tjetër në Velipojë, ku pas një konflikti të momentit kishte kërcënuar me armë zjarri një kuzhinier e më pas policia e shpalli në kërkim.
Ersild Ishmi, 33-vjeç ka mbetur i vdekur sot pas një konflikti me armë zjarri në Velipojë. Viktimë ka mbetur edhe Arsid Hoxha. Ndërkohë në kërkim janë shpallur dy vëllezërit, E.F., dhe G.F.
33-vjeçari rezulton se më 30 qershor 2024 ka kanosur me armë kuzhinierin e një lokali në Velipojë. Kjo pasi kuzhinieri, kishte pasi një konflikt me kushëririn e 33-vjeçarit.
Ishmi, pasi ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin te lokali, hodhi armën dhe u largua me shpejtësi, ndërsa policia iu vu në ndjekje.